Pas pezullimit të masës së pezullimit nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku nga Gjykata Kushtetuese, SPAK ka shtuar dozën e akuzave ndaj numrit 2 të qeverisë duke e marrë nën hetim për të gjithë tenderat e Unazës së Madhe të Tiranës, që janë zhvilluar nën pushtetin e saj.
“Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:
“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”; “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”; “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”; “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7,” njoftoi SPAK në kërkesën për heqjen e imunitetit.
Të shtatë lotet e Unazës kishin një gjatësi prej 8.5 kilometrash dhe u tenderuan për një kosto totale prej 170 milionë eurosh. Tashmë SPAK, po akuzon Ballukun për paracaktim tenderash me vlerë 170 milionë euro, çka paralajmëron kohë të vështira përpara për zonjën Balluku.
Me shumë gjasa, gjatë rrugës SPAK do të shtojë akuza të tjera për Ballukun, e cila ka manaxhuar pjesën më të madhe të fondeve publike në Shqipëri, që prej vitit 2019 e këtej.
Marrë nga Kapitali.al




