Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar të martën një bllokadë të plotë të cisternave të naftës që hyjnë ose dalin nga Venezuela, duke e shpallur regjimin e presidentit Nicolás Maduro si organizatë e huaj terroriste.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin Truth Social, Trump akuzoi qeverinë e Karakasit se po përdor pasuri të grabitura amerikane për të financuar terrorizmin, trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore, si dhe veprimtari të tjera kriminale. Ai tha se SHBA ka vendosur një prani të shtuar ushtarake detare rreth Venezuelës dhe paralajmëroi se presioni ndaj regjimit Maduro do të rritet.
“Regjimi i paligjshëm i Maduros po përdor naftën nga fushat e vjedhura për të financuar terrorizmin e drogës, vrasje dhe rrëmbime. Për këto arsye, Venezuela është shpallur organizatë e huaj terroriste,” deklaroi Trump, duke njoftuar një bllokadë totale të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara.
Një ditë më vonë, autoritetet amerikane konfirmuan sekuestrimin e një cisterne nafte me emrin “Skipper” pranë brigjeve të Venezuelës. Sipas Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi, anija dyshohet se përdorej për transportimin e naftës së sanksionuar nga Venezuela dhe Irani. Media amerikane raportojnë se cisterna ishte e ngarkuar me rreth 1.8 milionë fuçi naftë, me një vlerë që mund të arrijë deri në 100 milionë dollarë.
Administrata amerikane thekson se “Skipper” ishte pjesë e një rrjeti të gjerë cisternash të ashtuquajtura “anije fantazmë”, të cilat shmangin sanksionet duke ndryshuar flamuj, emra dhe pronësi, si dhe duke fikur pajisjet e gjurmimit.
Ndërkohë, ushtria amerikane ka intensifikuar operacionet kundër trafikut të drogës pranë Venezuelës, duke kryer dhjetëra goditje ndaj mjeteve të dyshuara të narkotrafikantëve që nga muaji shtator. Sipas autoriteteve amerikane, këto veprime janë pjesë e një fushate presioni ndaj regjimit Maduro, me synim frenimin e trafikut të drogës dhe destabilizimin e pushtetit të tij.
Fox News




