Babëzia e betonit ka prekur për vite me radhë një nga qytetet më të bukura dhe turistikë të Shqipërisë, Sarandën e bukur buzë detit Jon. Pasi e gjithë kodra dhe zona detare e qytetit është mbushur me godina shumë katëshe, të ndërtuara vend e pavend, ku çuditërisht asnjë institucion s’i ka parë, tashmë po “mendon” qeveria.
Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, nuk po ndalon këtë babëzi, por vetëm po shton betonin. Madje, edhe në zonat ujore apo në bregdet. Në një kohë që qeveria thotë se bregu i detit dhe vetë deti është pronë publike, duke vendosur edhe distanca të ndryshme, sërish e njëjta qeveri jep vend e pa vend leje.
Siç është rasti që po trajton VoxNews në këto radhë, ku çuditë në këtë vendin tonë s’kanë të ndalur. Redaksia jonë denoncoi gjatë verës që sapo lamë pas se qeveria i dha një leje ish-kryetarit të Bashkisë Vorë për një kullë 32 katëshe në Sarandë.
Tashmë, e njëjta qeveri dhe i njëjti Këshill miratojnë një tjetër leje, kësaj herë ngjitur me zonën ujore në Sarandë. Por, nëse do t’a konsiderosh edhe shkëmbinjtë apo bregun e detit pronë publike, natyrisht që trualli ku do të ndërtohet godina është “pronë publike”.
Sipas dokumenteve që disponon redaksia e VoxNews, qeveria ka dhënë muajt e fundit lejen për “strukturë banimi dhe shërbimi 1 dhe 6 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë, mur rrethues, me vendndodhje në rrugën Butrinti, Bashkia Sarandë, me zhvillues znj. Blerina Sejko”.
Në dokument përcaktohet se trualli ka terren të pjerrët. “Forma e terrenit vjen si një vazhdimësi e izohipseve dhe terrenit natyror. Për këtë arsye prona që do të zhvillohet është i pozicionuar sipas vijës bregdetare. Prona gjendet pranë detit dhe ka akses nga rruga kryesore në të dyja anët e saj”, thuhet në dokument.
Në dokument shkruhet se terreni është i pjerrët. Por, nëse do të shohësh hartën atëherë duket mjaft qartë vendi i ndërtimit, pothuajse në ujë. Ndërtimi s’ka asnjë distancë nga uji i detit Jon, nuk ka një plazh përpara, teksa i gjithë trualli tashmë do të shndërrohet në një tjetër ndërtim.
“Për nga vetë pozicionimi përgjatë vijës bregdetare, si zonë shërbimesh, kjo zonë mbetet si një nga zonat më të kërkuara dhe atraktive të rajonit. Sipërfaqja totale e pronës është 369 metër katrorë. Objektet përreth kësaj zone janë kryesisht objekte të ndërtuara në mënyrë sporadike të larta në numër katesh, nga 4 deri në 7 kate me funksion banimi”, vijon dokumenti.
VoxNews shfletoi dokumente të tjera të KKTU-së, ku shkruhet se fasada është konceptuar si një godinë mesdhetare me një lëvizshmëri të ballkoneve që e bëjnë objektin të duket sikur është në lëvizje. “Organizimi i objektit është bërë në 2 tipologji A dhe B, të ndara përkatësisht në apartamente dhe të shpërndara në 5 kate” thuhet në dokumente.
Sipas saj, objekti është organizuar në shtëpi të dyta në funksion të turizmit. “Në katin përdhe të objektit kemi edhe një restorant që do të shërbej për banorët që jetojnë në këtë pallat por edhe për turistë të ndryshëm që vizitojnë gjatë vitit qytetin e Sarandës”, vijon dokumenti.
Mësohet se sipërfaqja është 369 metra katrorë, ndërkohë që sipërfaqja e truallit e zënë nga gjurma është plot 274. Sipërfaqe e përgjithshme e ndërtimit mbi tokë është 1478 metra, ndërkohë në total, mbi dhe nëntokë është plot 2018 metra katrorë. Koefiçenti i shfrytëzimit të truallit për ndërtim 75 % dhe intensiteti i ndërtimit është 4.01.
Marrë nga VoxNews.al




