Shqipëria nuk do ta zgjasë ndalimin njëvjeçar të TikTok, deklaroi Kryeministri Edi Rama në një intervistë për POLITICO, duke u shprehur i kënaqur me bashkëpunimin e arritur me platformën e rrjeteve sociale, pavarësisht se problematika e dhunës mes të miturve ka vijuar edhe pas mbylljes së saj.
Rama tha se pas takimeve “konstruktive” me drejtuesit e TikTok, qeveria shqiptare ka ndërtuar një partneritet dhe se shumë shpejt do t’ua prezantojë shqiptarëve planin e ri të bashkëpunimit.
“Jemi të kënaqur me rezultatin. Kemi krijuar një partneritet dhe shpresoj që në javët ose muajt e ardhshëm t’ia zbulojmë planin popullit shqiptar, siç premtuam”, u shpreh Rama.
Megjithatë, pavarësisht vlerësimit pozitiv të Ramës, ndalimi i TikTok nuk ka prodhuar efektet e pretenduara në terren. Raportet e mediave vendase tregojnë se konfliktet, sherret dhe dhuna mes të miturve, përfshirë raste që kanë degraduar deri në ngjarje fatale, kanë vijuar edhe pas bllokimit të platformës, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin real të masës.
Shqipëria vendosi ndalimin e TikTok në mars 2025, pas rreth një viti bisedimesh me kompaninë, me argumentin e mbrojtjes së të miturve nga abuzimi online dhe dhuna dixhitale. Vendimi u mor pas një sërë ngjarjesh të rënda, përfshirë vetëvrasje të dyshuara të lidhura me ngacmimet online dhe vrasjen me thikë të një 14-vjeçari pas një konflikti që kishte nisur në rrjete sociale.
Ndërkohë, ndalimi u shoqërua me kritika të forta nga opozita dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat e konsideruan masën si censurë dhe kufizim të shprehjes politike online, sidomos në prag të zgjedhjeve.
Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj, i tha POLITICO në fillim të këtij viti se Rama po e përdorte ndalimin përpara zgjedhjeve të majit për të dobësuar praninë online të opozitës.
Kur u pyet nëse ndalimi ishte efektiv në frenimin e dhunës në shkolla, Rama u përgjigj: “Ka qenë efektiv në ndërtimin e kësaj marrëdhënieje me TikTok dhe në sjelljen e disa masave mbrojtëse që nuk ekzistonin.”
Pra, edhe pse indirekt pranon se ndalimi nuk e ka zgjidhur problemin e dhunës në shkolla, Rama këmbëngul se masa ka qenë e suksesshme në krijimin e një marrëdhënieje të re me TikTok dhe në vendosjen e disa mekanizmave mbrojtës.
Kryeministri përjashton çdo mundësi që Shqipëria të ndjekë modelin e kufizimeve të rrepta për të miturit në rrjetet sociale që po diskutohen në disa vende të BE-së.
“Kjo është budallallëk. Kjo është diçka që Shqipëria nuk do ta marrë në konsideratë. Nuk funksionon”, tha ai, duke pranuar se qeveria e tij e ka shqyrtuar, por “nëse nuk keni zbulim të plotë se kush qëndron pas, gjithmonë do të jeni viktimë e sulmeve nga trollët dhe robotët”, tha kryeministri.




