Connect with us

Albania

Zgjedhje nën hijen e krimit dhe parave, si anon gara në favor të pushtetit

Published

on

Sondazhet dëshmojnë se ekziston një mendim i gjerë për rolin aktiv që kanë në procese zgjedhore grupet informale dhe kriminale.

Zgjedhjet nuk shihen më vetëm si garë për vota dhe emra kandidatësh, por edhe garë influencash të jashtme, sponsorizimesh, financimesh dhe ndikimesh informale.

Raporti i fundit i OSBE/ODIHR ishte i qartë në kritikat, adresimet dhe rekomandimet e tij. Shqipëria synon të bëhet anëtare e BE dhe për këtë do të duhet të kalojë paraprakisht pengesën kryesore, realizimin e zgjedhjeve të lira, përmes fushatave transparente dhe politikave konkurruese të bazuar në integritet, alternativë dhe llogaridhënie.

Rasti i Jurgis Çyrbja, ish-deputet i PS-së në zgjedhjet e 2021 i cili ndodhet në burg për korrupsion në zgjedhje dhe përkrahje të krimit, tregoi se fenomeni i lidhjes së politikës me krimin nuk ishte i izoluar.  Në zgjedhjet e fundit parlamentare u evidentuan raste të ngjashme në disa zona si Vora, Durrësi apo Elbasani ku elementë kriminalë ndikuan në procesin e votimit. “Duke mos i besuar anëtarësisë, projektit dhe programit të vet, partitë politike bëjnë lidhje të shkurtra me elementë të krimit me idenë se këta njerëz sigurojnë vota”, thotë eksperti Lutfi Dervishi në një dalje për A2CNN.

Advertisement

Krimi

Financimi nga grupet kriminale mbetet një nga problemet kyçe në çdo palë zgjedhje në vend  Drejtori i ISP, Afrim Krasniqi, thotë në podkast për Faktoje se është e papranueshme që në vitin 2025 krimi i organizuar të ketë ndikim në përzgjedhjen e deputetëve. “Ky është dështimi më i madh i demokracisë shqiptare”, thotë ai  Fenomeni, sipas tij, kërkon forcimin e mekanizmave të sigurisë si dhe, hetim të lidhjeve të kandidatëve me krimin

Ligji për financimin e partive

Advertisement

Procesi i reformimit të ligjit për partitë politike, i rekomanduar prej kohësh nga OSBE/ODIHR, është futur si pjesë e punës së komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, por ende mbetet e paqartë se deri ku do të shkojë ndërhyrja.

Instituti për Studime Politike ka organizuar disa tryeza konsultative në Tiranë (dhe jashtë saj) me partitë politike, ekspertë dhe shoqërinë civile, me fokus identifikimin dhe adresimin e çështjeve prioritare për ndërhyrje dhe ofrimin e rekomandimeve konkrete për hartimin e Ligjit për Partitë Politike/Kodit Zgjedhor.

Problematika

Advertisement

Problematikat janë të njohura dhe mbeten të njëjta. Shumë prej partive nuk kanë anëtarësi të deklaruar (dhe as detyrim ligjor për dorëzimin në gjykatë), regjistra të rregullt apo struktura funksionale.

Eksperienca ndër vite ka treguar gjithashtu se partitë në përgjithësi nuk zhvillojnë zgjedhje të brendshme. Në praktikë, sipas ekspertit Lutfi Dervishi, gjenden gjithnjë mënyra për të anashkaluar ligjin, duke e bërë transparencën një fasadë formale.

Financimet në fushatë

Advertisement

Kur bëhet fjalë për financat, KQZ verifikon vetëm dokumentet e dorëzuara. Audituesit e pavarur kanë për detyrë të verifikojnë saktësinë formale të deklarimeve, pa mundësi hetimi në terren apo në kohë reale.  “Në takime informale na është thënë jo zyrtarisht nga kandidatët që shuma që ne kemi deklaruar nuk përputhet me shumën e shpenzuar, pra ka një lloj hipokrizie që partitë bëjnë sikur po raportojnë dhe institucionet bëjnë sikur po auditojnë dhe ky është një moment krejt i qartë dhe që duhet ndërhyrë”, thotë Dervishi

Roli i KLSH

Në tryezat e organizuara nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) është propozuar që Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) të ketë rol në mbikëqyrjen e partive politike.  Qysh prej vitit 2000, si pasojë e një vendimi të Kushtetueses, partitë mbeten të vetmet institucione, që nuk i nënshtrohen kontrollit të KLSH.

Advertisement

Sipas ekspertit, Erion Tase, KLSH ka kompetencë ligjore vetëm mbi fondet publike dhe jo mbi financimet private, ç’ka e lë propozimin për kontrollin e partive në një boshllëk ligjor.  Për këtë arsye, ekspertë nga shoqëria civile po shqyrtojnë mundësinë e propozimit të zgjerimit të kompetencave të KLSH ose krijimin e një organi të ri auditimi, që të mbikëqyrë financimet private të partive politike.

Ndarja parti-shtet

Raporti financiar i OSBE/ODIHR theksoi se zgjedhjet në Shqipëri nuk ishin të barabarta. Partia në pushtet përdori burimet shtetërore për avantazh elektoral. Problematike e përsëritur ishte edhe patronazhimi dhe presioni mbi administratën. Eksperienca e zgjedhjeve të fundit parlamentare tregoi gjithashtu se vendimet me efekt financiar u morën para periudhës së ndalimit ligjor, duke prodhuar pasoja gjatë fushatës. Kjo, sipas ekspertit Dervishi, tregon se ligji aktual nuk është i mjaftueshëm për të parandaluar deformimin e garës zgjedhore

Advertisement

Faqet anonime

Një tjetër problem i evidentuar në zgjedhjet e fundit ishte  përdorimi i faqeve anonime në rrjetet sociale për sulme direkte ndaj kandidatëve kundërshtarë. Kufizimi i fushatave negative dhe raportimi i detajuar i shpenzimeve online po shihet nga ekspertë të shoqërisë civile si domosdoshmëri.

Reklamat

Advertisement

Ligji ndalon gjithashtu reklamat në media, por raportet e KQZ tregojnë miliona euro borxhe të partive ndaj televizioneve për reklama të papaguara, një problematikë që duhet riparë, referuar diskutimeve në këtë drejtim

“Një votë, një euro”

Aktualisht, financimi i partive politike në Shqipëri lidhet kryesisht me numrin e mandateve parlamentare dhe jo me votat e fituara. Drejtori i ISP, Afrim Krasniqi, ka propozuar modelin gjerman “një votë, një euro”, ku çdo votë përkthehet në mbështetje financiare të barabartë nga buxheti i shtetit, duke shmangur, sipas tij, deformimet që sjell sistemi i mandateve. “Kjo ka prodhuar situata absurde ku një parti me vetëm 8 mijë vota në një qark merr financim të rregullt parlamentar dhe zyra falas, ndërsa një parti lokale që fiton në dhjetëra bashki nuk merr asnjë mbështetje financiare. Ky model është projektuar për të ruajtur monopolin e PS dhe PD, duke shtypur prirjet e reja politike dhe duke i mbajtur partitë e vogla jashtë loje”, thotë Krasniqi.

Advertisement

Juristi Altin Gjeta e ka zgjeruar këtë ide, duke theksuar se ligji gjerman jo vetëm favorizon financimin publik mbi bazën e votave dhe kontributeve të anëtarësisë, por vendos edhe një tavan buxhetor dhe mekanizma penalizues efektivë për rastet e shkeljeve.

Partitë dhe “oligarkët”

Ligji ndalon financimet e partive nga kompani me kontrata publike, por deri më sot asnjë biznesmen i madh që ka fituar tendera nuk figuron në listën zyrtare të donatorëve të partive. Sipas të dhënave të Faktoje, në periudhën janar–prill 2025 është vërejtur një rritje e përqendrimit të parave publike në pak duar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur nuk kishte zgjedhje. Afrim Krasniqi  thotë se financimet e partive nga grupe te caktuara të interesit realizohen në mënyra të tjera, shpesh të kamufluara përmes emrave fiktivë.

Advertisement

Propozimet

Legjislacioni mbi dekriminalizimin dhe integritetin (përfshirë AIDSSH) përcakton kritere të qarta për kandidatët në poste publike.  ISP propozon që këto kritere të përfshihen edhe në ligjin për partitë politike dhe në statutet partiake, duke përfshirë pra edhe strukturat drejtuese. Sipas ISP, partitë duhet të publikojnë CV-të e stafeve drejtuese (kryesia, sekretariati ekzekutiv, kryetarët e degëve).

ISP propozon gjithashtu që ligji për partitë të ndalojë sponsorizimin financiar nga individë me të shkuar kriminale ose me aktivitet kriminal ekonomik. Në rast shkelje, ISP propozon vendosjen e sanksioneve.

Advertisement

Propozohet gjithashtu që individët me rekorde kriminale të përjashtohen nga e drejta për të marrë me qira ose blerë media vizive, audio ose të shkruara për përdorim electoral. Por sipas propozimeve të ISP,  një subjekt politik duhet të humbasë mandatin nëse kandidati i zgjedhur rezulton i inkriminuar. Volitet  gjithashtu dispozitë ligjore për të parandaluar presionin ndaj grave kandidate për dorëheqje paszgjedhore në listat shumëemërore.

ISP kërkon përmes një pakete propozimesh që kufizimet e votës sipas ligjit të dekriminalizimit, të aplikohen edhe tek partitë politike dhe listat e votuesve të diasporës. Ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen apo ushtrojnë funksione publike” dhe vendimi i Kuvendit në funksion të tij, sipas ISP, duhet të zgjerohet për tu aplikuar përtej BE-së, duke përfshirë vende të tjera evropiane dhe rajonale ku ka komunitete të mëdha shqiptare, si Zvicra apo Turqia.

Faktoje.al

Advertisement
Continue Reading

Albania

Vit sfidues

Published

on

By

Opinion Nga Ilir Kalemaj 

Viti që lamë pas ishte i mbarsur me sfida të shumta lokale, rajonale dhe globale. Fillimisht së brendshmi pamë gremisje të mëtejshme të standarteve demokratike, korrupsion endemik, sistemik dhe kapilar që i shartuar me krimin e organizuar na rezultoi deri në kapje shteti, duke tejkaluar skenarët më të çartur hollivudianë. Rrugë të florinjta që avullojnë para shqiptarësh, verë që shkon në miliona euro dhe fluturon natën me qilim magjik, më shumë se 40 hajdutë që hanë dardhe dhe kumbulla pas shpine të Ali babës, konkurrentë që merren peng ditën për diell nga policia që pushteti do dhe plot thagma të tjera të cilat vështirë se bëhen dhe filma gjetkë.  

Përsa i përket situatës në rajon, Kosovo gjendet mes një kapërcyelli epokal që paraqet sa sfida aq edhe mundësi. Një vit për t’u harruar politik, me tre palë zgjedhje përfshirë dy sojesh parlamentare, me rreth 50 votime për të zgjedhur vetëm kryeparlamentarin, me dështimin e vetdijshëm apo jo të Kurtit për të formuar qeveri, me një sjellje ngurruese dhe pa strategji të qartë opozitare për mos të lënë vendin pa qeveri, me palët politike që rrekeshin të përftonin kapital politik ndërkohë që republika e re ballafaqohej me kriza ekzistenciale. Përsa i përket faktorëve ndërkombëtarë, nga njëra anë kemi SHBA-në, e cila jo më larg se shtatori i këtij viti njoftoi për një pezullim të pacaktuar të dialogut të planifikuar me vendin si një shuplakë të drejtuar qeverisë kujdestare Kurti, ndërkohë që masat ndëshkuese (dhe në thelb të padrejta të BE-së) pritën vetëm fundin e vitit për t’u hequr duke i shkaktuar vendit një kosto jo të vogël financiare, ekonomike por edhe me pasoja sociale. Gjithsesi me zgjedhjet e sotme, shpresa është që republika e re e Kosovës të kthehet në shinat e normalitetit politik, qëndrueshmërisë institucionale, demokracisë përfaqësuese si e vetmja “lojë në qytet” dhe shtimit të ritmit të integrimeve euro-atlantike. Kjo do të jetë dhe barra e provës dhe testi i qeverisë së re që me shumë gjasa do të jetë qeveri koalicioni, ku shanset më të mëdha anojnë nga Vetvendosja si parti e parë për të krijuar qeveri kësaj radhe me partnerë një nga partitë kryesore të opozitës, me gjasë PDK-në. 

Ndërkohë politikës së uljes në shumë karrige të Serbisë, duket se po i vjen fundi, pas sanksionimit të NIS, gjuhës së ashpër të Washingtonit ndaj Vuçiqit, ngrirjes së procesit të hapjes dhe përmbylljes së grupkapitujve të negociatave, qorrsokakut të vetdijshëm në lidhje me normalizimin dhe njohjen reciproke me Kosovën, krizën e brendshme si rezultat i protestave pa ndalim dhe ekspozimit të korrupsionit shtetëror. Nga ana tjetër, situata në Bosnjë-Herzegovinë duket e ngecur, me të vetmin zhvillim pozitiv “shuplakën” ndaj Dodik-ut dhe largimit të tij por edhe retorikës së ashpër separatiste që vendoste nën presion të vazhdueshëm Sarajevën dhe testonte limitet e institucioneve të brishta. Maqedonia e Veriut vijon të jetë e kushtëzuar nga Bullgaria përsa i përket procesit të integrimit evropian, ndërsa Mali i Zi merr notën e vetme kaluese në rajon në lidhje me shpejtësinë dhe cilësinë e reformave pavarësisht problemeve të brendshme politike, që mendohet se do t’i hapin rrugën e integrimit të plotë në BE në harkun e viteve 2028-2030. 

Advertisement

Për Shqipërinë, ndonëse ky ka qenë premtimi elektoral i socialistëve të udhëhequr nga Rama, duket se nuk ka shans që kjo të ndodhë, pasi një sërë dështimesh edhe në raport me detyrimet karshi Brukselit kanë kushtëzuar procesin. Mjaft të përmendim dështimin për miratimin dhe zbatimin e direktivave dhe rregulloreve të BE-së për energjinë dhe vendimin në lidhje me këtë të Ministerialit të Energjisë së BE-së ku Shqipëria tashmë rrezikon përjashtimin nga Traktati i Energjisë apo hetimin e OLAF-it dhe ndëshkimin për fondet e keqdrejtuara (apo më saktë të përlara) të IPARD-it i cili e ka dëmtuar edhe më tepër një sektor që zë një përqindje të konsiderueshme të PBB-së dhe ushqen mijëra familje fermerësh të ndershëm shqiptarë. Ndërkohë që fermerët në mbarë BE-në janë ngritur në revoltë për drejtimin e politikave të përbashkëta bujqësore që kanë cënuar disi sigurinë e tyre, fermerët tanë përvec ndonjë proteste sporadike, kanë zgjedhur mesa duket të largohen nga fshati drejt metropolit apo larg në emigrim. 

Por vëmendja ndaj rajonit është jo vetëm në kuadër të fazave të tyre të integrimit në Bashkimin Evropian dhe vëmendjen që merr nga Brukseli rajoni që prej dekadash është konsideruar si “kopshti i pasëm” i shtëpisë së BE-së. Kthimi i vëmendjes nga Washingtoni drejt rajonit përmes “Kapitullit F për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor” në ligjin vjetor të mbrotjes së SHBA- NDAA 2026 ligjin vjetor të mbrojtjes së SHBA, ku Ballkani Perëndimor trajtohet si një hapësirë ku demokracia, korrupsioni, media, ekonomia dhe siguria kibernetike shihen si pjesë e të njëjtit problem strategjik, është një tjetër dritë shprese se mungesës së llogaridhënies nga autokratët e regjimeve klienteliste në rajon i ka ardhur fundi.

Përsa i përket ngjarjeve kryesore përqark globit, bota pa disa konflikte të vazhdueshme për të disatin vit si konflikti në Gaza, apo lufta Rusi-Ukrainë. Ndërsa për rastin e parë, plani i presidentit Trump me 20 pika duket se i ka dhënë një kornizë armëpushimi dhe mundësie të prekshme për një zgjidhje sado të dhimbshme të përkrahur nga shumica e shteteve të botës, plani i ri po 20-pikësh i dakordësuar së fundmi mes SHBA-së dhe Ukrainës pret të marrë miratimin e Federatës Ruse për të zgjidhur një konflikt thuajse 4-vjeçar, t’i jepte fund gjakderdhjes dhe humbjes së jetëve të çmuara njerëzore në konfliktin më të gjatë ndër-shtetëror në kontinentin evropian qysh prej luftës së dytë botërore.

Advertisement

Njëzet pikat e dakordësuara në planin e ri të paqes mes SHBA dhe Ukrainës dhe që pritet t’i propozohen zyrtarisht Rusisë janë një rrugëzgjidhje që do t’i hapte rrugën sigurimit të kufijve të jashtëm të BE-së, integrimit të Ukrainës në BE dhe rindërtimit të shpejtë të saj, garancive të sigurisë kryesisht nga SHBA por edhe nga BE, forcimit afatgjatë të marrëdhënies transatlantike brenda NATOs pavarësisht luhatjeve të muajve të fundit, si dhe krijimin e një klime besimi të domosdoshme për paqe afatgjatë dhe siguri rajonale.
Viti që po lëmë pas ka shenjuar dhe kriza të tjera që kanë prekur dhe disa nga arteriet kryesore të transportit, ka vështirësuar tregtinë botërore përmes bllokimeve të njëanshme, sanksioneve dhe tarifave, ka tjetërsuar dhe vështirësuar tregun e punës edhe për shkak të shpërthimit të investimeve në inteligjencë artificiale. Që një pjesë e mirë e parashikuesve e paralajmëron edhe një flluskë të mundshme përgjatë vitit që vjen dhe që ndeshet aktualisht me mungesë burimesh si tokë, ujë dhe energji. 

Gjithashtu viti që po lëmë pas ka thelluar si kurrë më parë polarizimin socio-ekonomik me një hendek financiar që ndoshta nuk do të rikuperohet më, ku shtatë kompanitë më të mëdha kanë kaluar në vlerë dhe disa nga shtetet me ekonominë më të madhe ndërkohë që ka ashpërsuar dhe klimën politike në mbarë globin. Një vit që po rithekson nevojën e rikrijimit të sferave të influencës dhe që flet përherë e më tepër me gjuhën e diktatit të fuqisë dhe interesave shtetërore, siç në fakt ka qenë trajektorja e pjesës më të madhe të historisë politike njerëzore pavarësisht iluzionit të periudhave aftashkurtra pas luftërave botërore, qoftë asaj të parë, të dytë apo luftës së ftohtë. Një vit që ka theksuar gjithashtu nevojën për stabilitet çka e demonstron edhe rritja e pabesueshme e çmimit të arit, argjendit apo të patundshemeve në nivel global ndërkohë që ka shenjuar njëherazi edhe humbjet më të mëdha nga krimi kibernetik financiar që ka synuar kryesisht portofolet kripto.

Një zile paralajmëruese kjo dhe për nxitimin e politikanëve këtejpari që bëjnë thirrje të nxituara për fundin e cash-it në ekonomi ndërkohë që të dhënat e shqiptarëve duke nisur nga e-albania dhe akshi si gardian, janë dhunuar si kurrë më parë.

Advertisement
Continue Reading

Albania

Elozhi i kujtesës

Published

on

By

nga Mira Meksi Shkrimtare

Shënime mbi romanin ‘Engram’të Brunilda Zllamit

Shpesh kam thënë se për t’u mirëdrejtuar në xhunglën ngalakeqe të botimeve të sotme letrare, duhet feneri i filozofit cinik Diogjenit. Ndërsa ai kërkonte ‘njeriun’, sot kërkohet ‘libri letrar’. As me këtë fener në dorë nuk është e lehtë të gjendet. Mbetesh gjembaçve dhe drizave të botimit të gjithkujt që, me mendjelehtësi fëmijërore, a me shpresë se do të bëhet i pavdekshëm, i futet mjeshtërisë së tejvështirë të shkrimësisë, pa patur as më të voglën përgatitje, dhe pa asnjë grimcë talenti. Rezultati është një tmerr i vërtetë, i cili jo vetëm e ka qorollisur lexuesin, që po thyen këmbët hendekëve të librave të shkruar tmerrësisht keq, duke ia neveritur letërsinë shqipe, por edhe po dëmton rëndë gjuhën shqipe.

Në këtë panoramë të zezë të letërsisë së sotme shqipe, ka sigurisht libra të shkruar shumë mirë dhe mirë, që feksin si dritëza në errëtinë e kësaj panorama, dhe që japin shpresë për të ardhmen e letërsisë së gjuhës sonë. Ndër këto të pakta drita, për mua, është edhe romani më i fundit i shkrimtares së njohur Brunilda Zllami, Engram. Romani është realist, siç janë në përgjithësi romanet e kësaj autoreje, me elementë të shumtë dhe të spikatur të romanit psikologjik. Trajton tema, ngjarje, probleme dhe plagë të shoqërisë së sotme shqiptare, por edhe më gjerë – probleme që prekin vetë Njeriun.

Advertisement

Janë përsiatje mbi marrëdhëniet prind-fëmijë, mbi botë që nuk afrohen, përkundrazi: një baba që mundohet të formësojë jetën e të birit në çdo aspekt, sikur të ishte jeta e tij, apo ajo pjesë e jetës së tij që e kish dëshëruar pa e arritur dot kurrë. Duke e damkosur kësisoj jetën e të birit me fatkeqësi.

Janë përsiatje mbi hipokrizinë njerëzore, arrivizmin, moralin e nëpërkëmbur, etjen e shfrenuar për pushtet, për para- fëlligështia e njeriut e ngritur në lartësinë e vlerës në shoqërinë moderne shqiptare.

Janë përsiatje mbi dashurinë, të gjitha llojet e dashurisë: dashuritë e pamundura, të rrezikuara, dashuritë e zhbëra, ato të pavërteta, dashuritë e helmëta, dashuritë jetëshkurtra, dhe ato që lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirt. Dashuritë që të shpëtojnë jetën dhe ato që të vrasin…

Advertisement

Janë përisatje mbi pendesën: ‘Pendimet janë të rënda. Si gurë të çrregullt futur në një trastë që je i detyruar ta mbash në supe…..Pendimet janë të hidhura. Si lot që nuk ke derdhur, si fjalë që s’kanë buruar prej teje, si ofshama që i ke mbytur brenda’.( Engram)

Janë përsiatje mbi përballjen e njeriut me sëmundjen, me pafuqinë, me bjerrjen e trupit dhe shpirtit, me humbjen e Kujtesës. Me keq se vetë vdekja.

Janë përsiatje mbi vetsakrifikimin për të mbrojtur me vdekje dashurinë që  zhbëhet nga sëmundja.

Advertisement

Mjeshtre e zhbirimit të psikës njerëzore, Zllami prek tejzat e trurit, pret me bisturi, rrëmon lëndën gri për të gjetur djepin, skutën, matricën e Kujtesës. Engramin. ‘ Ku jetojnë kujtimet? Në mendje, shpirt, pafundësi? Janë vetëm pjesë e qenies sonë, apo një pjesëz e koshiencës universale? Çfarë është njeriu pa kujtime?’. ‘Çfarë janë engramët? Pyet autorja dhe përgjigja vjen: ‘Janë vendi ku ruhen kujtimet’( Engram)

Personazhet në roman janë të shumtë, gjallojnë në Londër dhe Tiranë. Autorja përdor një strukturë që ka dalë të jetë e suksesshme në romanet e saj: kapituj sërë-sërë ndërtojnë secili nga një personazh, të ri gjithsaherë, si rrezet e një dielli, që konvergojnë në diell, pra në një pikë – arena ku bashkëveprojnë me njëri-tjetrin.

Pjesa më e madhe e ngjarjeve rrëfehet në retrospektivë, me anë të kujtesës a kujtimeve. Pjesët onirike të librit, sentencat e tij mbi gjithë sa thamë më sipër, janë të mrekullueshme.

Larg së qeni optimist, romani të mëkon gjithsesi me shpresën, të cilën e vendos pikërisht në ENGRAM:

Advertisement

 ‘Kujtimet janë vetja jonë. Ato na mbajnë kur mund të biem, na ngrenë kur rrëzohemi, na kthejnë në jetë kur vdesim. Të endura nga engramët si fatkrijueset e dikurshme…Janë ato që shkruhen me bojën e yjeve që na krijuan, e mbeten edhe kur jemi larguar’.( Engram)

Romani ‘Engram’, i pazakontë, i rrallë në llojin e vet, ka një gjuhë të pasur dhe fort të limuar, një shqipe të stolisur me metafora dhe fjalëformime elegante, e cila është në gjendje të mbartë dhe të na përçojë emocione të mëdha. 

Advertisement
Continue Reading

Albania

Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor

Published

on

By

Buxheti i shtetit po “vuan” nga një sëmundje kronike. Taksat mblidhen, por nuk shpenzohen. Të dhënat flasin se vetëm për muajin dhjetor fondet buxhetore që duhen të shpenzohen janë afro 2 miliardë euro. Ky përqendrim i fondeve vetëm në një muaj, për ekspertin e ekonomisë Albert Gajo, tregon anomali. I ftuar në emisionin E-ZONE, z. Gajo tha se shkaku kryesor vjen nga keqplanifikimi.

“Zbatimi i buxhetit me akte normative nuk është një tregues normal, është një tregues për një realitet anormal. Në plan të parë, kjo situatë vjen nga keqplanifikimi. Ministria përgjegjëse ka dëshmuar ndër vite që nuk ka mundur të planifikojë si duhet buxhetin, çka do të thotë se po ia lëmë rastësisë dhe, në varësi të asaj që sjell koha, hartojmë aktet normative. Kjo nuk është e shëndetshme ekonomikisht” – tha Gajo.

Gjatë kësaj jave, qeveria me aktin e katërt normativ ndryshoi sërish buxhetin. Në fokus ishte ndarja e një bonusi prej 15 mijë lekësh për familjet në nevojë.

Paralelisht, përveç bonusit, pati edhe një rishpërndarje të fondeve, ku një fond i konsiderueshëm i pashpenzuar kaloi në llogarinë e posaçme të hapur pranë Bankës së Shqipërisë për skemën e pensioneve.

Advertisement

“Pas keqplanifikimit, një tjetër arsye pse jemi në këtë situatë është edhe aftësia e administratës publike për të zbatuar në kohë zërin e investimeve. Vonesat në lidhje me realizimin e investimeve publike lidhen edhe me mungesën e profesionalizmit të stafit në agjencitë publike. Jemi një vend që po kërkojmë të hyjmë në BE, por nuk po i përdorim si duhet fondet tona të brendshme, ndërkohë që duhet edhe të përthithim ndihma fondesh nga BE-ja” – tha Gajo.

Eksperti Gajo thotë më tej se bonuset janë një politikë e paqëndrueshme, pra individët nuk mund të bëjnë dot parashikime të shpenzimeve, pasi nuk kanë qartësi. Ndaj, një praktikë e tillë, edhe pse e domosdoshme për familjet në nevojë, nuk është e këshillueshme të zhvillohet në mënyrë rastësore.

Advertisement
Continue Reading

Live ALBUK TV

Bota3 minutes ago

Përplasjet kufitare Taxhikistan-Taleban: Çfarë fshihet pas tyre, pse ndikojnë në Kinë?

Kulture7 minutes ago

Shuhet ikona Brigitte Bardot, biondja seksi që revolucionarizoi kinemanë në vitet ’50

Albania12 minutes ago

Vit sfidues

Albania19 minutes ago

Elozhi i kujtesës

Kosova7 hours ago

Numërohen 81% e kutive të votimit në Kosovë: Albin Kurti drejt mandatit të tretë si kryeministër

UK7 hours ago

Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim

Albania8 hours ago

Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor

Bota8 hours ago

Presidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump

Albania8 hours ago

VIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë

Kosova8 hours ago

KQZ numëron mbi 80% të votave, Vetëvendosje në epërsi të thellë

Albania9 hours ago

“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri

Albania9 hours ago

Vlora 4 ditë pa ujë, protestuesit shpërthejnë derën dhe futen në festën e Bashkisë

Kosova9 hours ago

KQZ: Ka nisur numërimi i votave, sonte rreth orës 23:00 presim t’i kemi rezultatet preliminare

Kosova9 hours ago

KQZ nis publikimin e rezultateve të para

Kosova9 hours ago

Dalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind

Albania1 day ago

Shqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”

Albania8 hours ago

VIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë

Albania8 hours ago

Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor

UK1 day ago

Rrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër

Albania9 hours ago

“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri

UK7 hours ago

Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim

Bota8 hours ago

Presidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump

Kosova7 hours ago

Numërohen 81% e kutive të votimit në Kosovë: Albin Kurti drejt mandatit të tretë si kryeministër

Kosova9 hours ago

Dalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind

Kosova8 hours ago

KQZ numëron mbi 80% të votave, Vetëvendosje në epërsi të thellë

Kosova9 hours ago

KQZ: Ka nisur numërimi i votave, sonte rreth orës 23:00 presim t’i kemi rezultatet preliminare

Albania9 hours ago

Amnisti penale nga qeveria! Lamallari: 380 të burgosur lirohen, 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi (video)

Kosova14 hours ago

Voton Presidentja Osmani: Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë

Kosova14 hours ago

Kurti voton në Prishtinë: Shpresoj që pjesëmarrja të jetë masive

Kosova9 hours ago

KQZ nis publikimin e rezultateve të para

Trending