Në fund të muajit nëntor 2025, financat publike regjistrojnë një sufiçit buxhetor prej 49.1 miliardë lekësh, si rezultat i një performance të fortë në mbledhjen e të ardhurave dhe një ritmi dukshëm më të ulët të realizimit të shpenzimeve. Praktikisht, dhjetëra miliardë lekë kanë mbetur të pashpenzuara, veçanërisht në zërin e shpenzimeve kapitale – pra investimeve publike – duke ngritur pikëpyetje mbi ecurinë reale të projekteve dhe ndikimin e tyre në ekonomi.
Të ardhurat 99% e planit në 11 muaj
Sipas të dhënave paraprake për periudhën janar–nëntor 2025, të ardhurat totale të buxhetit arritën në rreth 687.7 miliardë lekë, ose 99% e planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, janë mbledhur 39.7 miliardë lekë më shumë, një rritje prej 6.1%.
Në terma vjetorë, të ardhurat për 11-mujorin janë realizuar në:
• 89.3% të planit vjetor, sipas Aktit Normativ nr.10, datë 08.10.2025
• rreth 91% të planit vjetor, sipas Buxhetit Fillestar
Tatime dhe dogana, kontributi kryesor
Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat arritën në 453.2 miliardë lekë, ose 36.7 miliardë lekë më shumë se një vit më parë (+8.8%).
Nga administrata doganore u mblodhën 218.2 miliardë lekë, me një rritje prej 4.4% krahasuar me janar–nëntor 2024 dhe realizim në 98.8% të planit. Brenda këtij zëri:
• TVSH në import: 144.2 miliardë lekë (+2.7%)
• Akciza: 63.6 miliardë lekë (+10%)
• Taksat doganore: 8.6 miliardë lekë (+5.6%)
• Renta minerare në eksport: 1.8 miliardë lekë (95.7% e planit)
Nga administrata tatimore, të ardhurat arritën në 235 miliardë lekë, ose 13.3% më shumë se një vit më parë dhe mbi planin me 1.9 miliardë lekë. Rritje të fortë shënuan:
• TVSH neto në vend: 63.6 miliardë lekë (+16.3%)
• Tatimi mbi të ardhurat personale: 75.9 miliardë lekë (+26.2%)
• Tatimi mbi fitimin: 52.7 miliardë lekë (+3%)
Ndërkohë, fondet speciale (sigurime shoqërore dhe shëndetësore) arritën në 163.4 miliardë lekë, me rritje 11.4% dhe realizim 100.5% të planit.
Shpenzimet rriten, por mbeten larg planit
Në anën tjetër të bilancit, shpenzimet e përgjithshme publike për 11-mujorin 2025 arritën në 638.6 miliardë lekë, ose rreth 91% e planit të periudhës. Krahasuar me janar–nëntor 2024, shpenzimet janë 62.2 miliardë lekë më të larta (+11%).
Megjithatë, në terma vjetorë, realizimi mbetet i ulët:
• 77.4% e planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar
• 76.8% e planit vjetor sipas Aktit Normativ nr.10
Shpenzimet korente arritën në rreth 561 miliardë lekë, me rritje 9.5% krahasuar me një vit më parë dhe realizim rreth 96% të planit vjetor.
Investimet publike, problemi kryesor
Ndryshe nga shpenzimet korente, shpenzimet kapitale – që përfaqësojnë investimet publike – mbeten pika më problematike e buxhetit. Për 11 muajt e vitit 2025 ato arritën në vetëm 76.6 miliardë lekë, edhe pse janë 20% më të larta se një vit më parë.
Në raport me planin vjetor, realizimi është vetëm 65.2%, çka tregon se një pjesë e konsiderueshme e investimeve të programuara nuk janë ekzekutuar. Pikërisht kjo nënrealizim i investimeve shpjegon edhe suficitin e lartë prej 49.1 miliardë lekësh në fund të nëntorit.
Suficit buxhetor, sinjal financiar apo mungesë ekzekutimi?
Ndërsa nga njëra anë suficiti pasqyron disiplinë fiskale dhe performancë të fortë të të ardhurave, nga ana tjetër ai reflekton drejtpërdrejt mosrealizimin e shpenzimeve kapitale, pra të projekteve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike, punësimin dhe zhvillimin afatgjatë.
Në këtë kontekst, sfida kryesore për financat publike nuk mbetet mbledhja e të ardhurave, por aftësia për t’i kthyer ato në investime konkrete, që të mos mbeten thjesht si suficit kontabël në fund të vitit.
Ekofin.al




