Gjermania është kthyer në destinacionin kryesor të emigrantëve të kualifikuar shqiptarë në 5-vjeçarin e fundit dhe ky trend ka ndikuar edhe në rritjen e aplikimeve për bashkime familjare në mesin e diasporës së vendit tonë.
Edhe pse politikat e koalicionit qeverisës CDU/CDU dhe Socialdemokratëve për emigracionin janë shtrënguar ndjeshëm këtë vit sipas Ministrisë së Jashtme gjermane janë lëshuar më shumë se 100.000 viza për bashkim familjar.
Shifrat zyrtare tregojnë se qytetarët nga Kosova e Shqipëria janë ndër aplikuesit kryesorë këtë vit për bashkim familjar.
Rezulton se 101.756 viza u dhanë deri në fund të nëntorit për pesë kombësitë me më shumë aplikime. Më së shumti vizat u dhanë për turqit (14.907) dhe sirianët (13.148), të ndjekur nga qytetarë nga India (9.286), Kosova (7.143) dhe Shqipëria (4.426).
E drejta për bashkimin familjar në Gjermani përgjithësisht vlen vetëm për familjen bazë, që do të thotë bashkëshortët/et dhe fëmijët e mitur. Ekzistojnë përjashtime për raste të vështira dhe, që nga një reformë në mars 2024, edhe për prindërit dhe vjehrrit e profesionistëve dhe punëtorëve të kualifikuar me kualifikim të lartë që mund të sigurojnë në mënyrë të pavarur jetesën e të gjithë familjes.




