Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve, një masë që hyn në fuqi si pjesë e paketës së Buxhetit 2026.
Vendimi synon të mbështesë pensionistët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke përcaktuar shuma konkrete shtesë që variojnë nga 600 deri në 1,800 lekë në muaj.
Sipas vendimit të propozuar nga Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, fondi total për këtë skemë kap vlerën e 9.8 miliardë lekëve.
Si ndahen kategoritë dhe sa është shtesa?
Qeveria ka ndarë përfituesit në 5 kategori kryesore, bazuar në nivelin e të ardhurave mujore që ata kanë pasur deri në datën 31.12.2025:
Shtesën maksimale prej 1,800 lekë/muaj e përfitojnë të gjithë pensionistët që kanë të ardhura mujore deri në 40,000 lekë.
Këtu përfshihen pensionet e pleqërisë të plota (urbane), minatorët, punonjësit e naftës, gazit dhe metalurgjisë.
Shtesën prej 1,000 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 18,000 lekë.
Këtu përfshihen pensionet e ish-kooperativave bujqësore dhe pensionet rurale (të fshatit).
Shtesën 800 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 22,000 lekë.
Në këtë grup përfshihen pensionet e pjesshme (urbane), pensionet sociale dhe ata që nuk kanë plotësuar vitet e sigurimit.
Shtesën 700 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 18,000 lekë, ku janë përfituesit e pensionit familjar, përfshirë familjet e pilotëve.
Ndërsa shtesën 600 lekë/muaj e përfitojnë personat me të ardhura mujore deri në 30,000 lekë.
Këtu përfshihen të gjitha kategoritë e pensioneve të invaliditetit.
Kush përfiton tjetër?
Një pikë e rëndësishme e vendimit është se ky kompensim nuk prek vetëm pensionistët aktualë. Përfitojnë edhe personat që do të dalin në pension gjatë vitit 2026, me kusht që të ardhurat e tyre të mos kalojnë tavanet e përcaktuara më sipër. Megjithatë, ata që fitojnë të drejtën e pensionit pas datës 1 janar 2027, nuk do të jenë subjekt i këtij vendimi.
Vendimi saktëson gjithashtu se këto kompensime nuk do të preken (nuk do të ulen apo ndryshojnë) në rastet kur qeveria miraton indeksime të tjera të pensioneve në të ardhmen.
Zbatimi i këtij vendimi do të kryhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe pagesat do të shpërndahen përmes Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë.

