Qytetarë që kishin planifikuar të udhëtonin sot nga Londra drejt Tiranës me kompaninë ajrore “Wizz Air” kanë denoncuar sërish mungesë serioziteti dhe kompetence nga ana e kësaj kompanie.
Sipas denoncuesve, pas imbarkimit dhe hyrjes në avion, ata janë detyruar të zbresin sërish me arsyetimin se në kontenier ishte ndezur një sinjal paralajmërues.
Pas zbritjes, udhëtarët janë përballur me orë të tëra pritjeje pa asnjë informacion të qartë, ndërsa i vetmi shpjegim i dhënë nga kompania ka qenë se ekziston një problem teknik.
Qytetarët kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe nisjen sa më shpejt drejt destinacionit të tyre, ku i presin familjarët për t’u bashkuar me festat. Ata theksojnë se kjo nuk është hera e parë që hasin probleme me këtë kompani ajrore.
“Wizz Air” është shpeshherë objekt ankesash për vonesa të shumta, anulime në momentet e fundit dhe mungesë komunikimi apo përgjigjeje ndaj udhëtarëve.

