Sot gjatë ditës së Dielë, përpara protestës së paralajmëruar nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet” përpara Kryeministrisë, mbi 300 punonjës policie ndërhynë dhunshëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për heqjen e dy çadrave të vendosur nga aktivistët e “Shqipëria Bëhet”, që sot thirrën një protestë kundër qeverisë Rama.

Më vonë, pasi shumë aktivistë përfunduan në spital për ndihmë mjeksore, të tjerët që vazhduan protestën, u shpërndanë me forcë policore sapo kish kaluar mesnata e së dielës, duke shkaktuar të tjera konflikte mes protestuesve dhe trupave të shumta policore.
Vlen për tu nënvizuar se këto protesta nga forca të ndryshme opozitare, duke mos qenë masive, janë më të lehta për tu shpërndarë.

Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, me Adriatik Lapaj iniciator, ka mbi dy javë që proteston përpara Kryeministrisë me kërkesën për dorëheqje të Kryeministrit dhe zv. së tij Balluku, për krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të reja, por, edhe pse në zgjedhjet e fundit, arriti të marrë rreth 80 mijë vota, dhe siguroi një deputet, ajo nuk po arrin të mobilizojë një numër të konsiderueshëm protestuesish, që e bën protestën e tyre më vulnerabel ndaj ndërhyrjeve të herë pas herëshme të forcave policore, të cilat kërkojnë ti largojnë nga sheshi përpara Kryeministrisë.


Brenda pak minutash, policia arriti të shkulë çadrat e improvizuara, të thyejë disa karrige plastike si dhe të dëmtojë ngrohëset e gazit, që për më shumë se 3 javë përdoreshin nga aktivistët, që protestojnë ditë e natë para zyrës së Edi Ramës.
AlbUk.com

