Akademiku Rexhep Qosja u shpreh se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen herët apo vonë, pavarësisht zërave kundër.
Teksa komentoi marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Tiranës, Qosja, në një prononcim për “A2”, tha se fërkimet që kanë ndodhur janë të pakuptimta dhe në kundërshtim me orientimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Fërkimet, të cilat kanë qenë pak më të theksuara mes Ramës e Haradinajt, më duken të pakuptueshme, të paarsyeshme dhe të çuditshme. Janë një popull, dy shtete, një gjuhë, një histori, një traditë, një kulturë dhe një të kaluar të rëndë historike. Tani, deshi fati, fundi i shekullit 20 dhe fillimi i shekullit 21, ishte një shans për shqiptarët, që ta shfrytëzojnë për shumëçka që t’i afrojnë marrëdhëniet e tyre që do të çojnë në një drejtim, që është bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. U bashkuan Gjermanitë, të cilat ishin të ndara prej fuqive të mëdha politike, por kurrë Gjermania Perëndimore nuk e ka hequr prej Kushtetutës bashkimin me Gjermaninë Lindore. Këto fërkime të kohëpaskohshme, që kalojnë edhe në fyerje, janë të palejueshme. Këto janë në kundërshtim edhe me orientimin e Albinit, por unë shpresoj se gjendja do të vijë duke u përmirësuar. Këtu kemi intelektualë dhe akademikë që kanë shkruar: ‘Kosova ua ka thyer qafën dy perandorive, otomane dhe austro-hungareze, do ia thyejë edhe Shqipërisë’, dhe kjo është botuar. Kemi intelektualë që mendojnë se duhet të krijohet edhe kombi kosovar. Pra, të jenë dy kombe shqiptare. Çfarë do të thotë kjo? Kush ua jep atyre këtë të drejtë? Çfarë përfaqësojnë ata që flasin kështu?! Populli shqiptar është ndarë me dhunë dhe për 100 vjet janë mbushur burgjet e Serbisë dhe Greqisë me shqiptarë që kanë ëndërruar bashkimin me shtetin amë, Shqipërinë. Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen, sepse ky bashkim është më së pari në interesin e shqiptarëve. Unë mendoj se shtetet e Ballkanit, kur ta kuptojnë këtë punë do ta pranojnë. E kanë më mirë me një shtet shqiptar në BE se me një”, deklaroi Qosja.