Një aksident rrugor ka ndodhur këtë të hënë në aksin Kabash–Poroçan të Bashkisë Gramsh, pranë fshatit Bardhaj. Një kamion ka dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë, duke shkaktuar pasoja tragjike për personat që ndodheshin brenda.
Sipas informacioneve paraprake, në mjet udhëtonin tre persona, pjesë e personelit të shërbimit në fshatra: një mësuese, një infermiere dhe drejtuesi i kamionit.
Hetimet e para të Policisë Rrugore dhe autoriteteve vendore tregojnë se në automjet ndodheshin Dëshira Hoxha, Albana Boja dhe Shaban Kotorri.
Shaban Kotorri, drejtuesi i mjetit, dhe Albana Boja, mësuesja, kanë humbur jetën në vendngjarje. Mësuesja është nxjerrë nga mjeti pas aksidentit, por nuk ka mundur të mbijetojë.
Raportohet se Dëshira Hoxha, infermierja, ka mbetur e plagosur rëndë dhe nuk reagon, ndërsa është transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore të specializuar.
Autoritetet po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërsa paraprakisht dyshohet se rruga e vështirë dhe kushtet e terrenit mund të kenë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjetit.
Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe pritet që ekspertiza autoteknike të përcaktojë shkakun e saktë të aksidentit tragjik.

