Qeverinë Rama e rrëzoi Balluku

albnews
By
7 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Opinion nga Blendi Kajsiu

Kjo e Ramës nuk është një qeverisje diktatoriale sepse i mungon fryma, legjitimiteti politik dhe mbështetja e thellë popullore që duhet për të imponuar një diktaturë. Është thjesht një qeverisje e degraduar ku secili e ushtron pushtetin për veten, duke fillluar nga kryeministri Rama.

Pafuqia e opozitës përballë pushtetit të Edi Ramës shpesh nuk na lë të shohim se qeveria e tij ka rënë tashmë, të paktën moralisht. Natyrisht që si pasojë e konjukturave politike, e kapjes së shtetit nga Rama dhe e opozitës nga familja Berisha, ai mund të vazhdojë të qeverisë. Ama është një qeverisje e vdekur, pa frymë politike, pa një motiv, fabul apo moral politik përtej inercisë për të vazhduar pasurimin vetjak në pushtet.

Ajo që e vrau qeverinë Rama nuk ishte opozita e vjetër apo e re, por vendimi i tij për ta mbrojtuar Ballukun politkisht, pavarësisht skandalit që prodhuan hetimet e saj nga SPAK. Ky vendim hodhi në erë të gjitha fabulat politike të Ramës, që nga ajo e të keqes më të vogël dhe e integrimit në BE, deri tek lufta anti-korrupsion nëpërmjet drejtësisë së pavarur.

Debati legal mbi ndarjen e pushteteve apo mbi ligjshmërinë e provave dhe hetimeve të SPAK-ut nuk mundi të fshehë kalbëzimin e pushtetit Rama që nxorri në pah skandali Balluku. Ishte një kalbëzim që nuhatej dhe denoncohej prej kohësh nga qytetarët dhe mediat kritike. 

Ama banaliteti i kapjes së shtetit në whatssapp sipas midesë personale dhe i dhunimit të rregullave elementare të konkurrencës që nxorri në pah skandali Balluku la pa gojë edhe ata që mendonin se socialistët vidhnin si specialistë me stil dhe jo si “ordinerët berishist”.

Skandali Balluku tregoi se në Shqipërinë e Edi Ramës nuk qeveriset as me shtet, as me administratë publike dhe aq më pak me ligj, por me grupe të strukturuara për ta ndarë paranë publike si të ishte plaçkë private. 

Numri i madh i tenderave të dyshimtë në rastin e ministres Balluku, numri i lartë i zyrtarëve të përfshirë në to dhe vetë posti tejet i rëndësishëm i saj na detyrojnë të konkludojmë se nuk kemi të bëjmë me një rast të veçantë, apo me një mollë të prishur, por me vetë llogjikën e ushtrimit të pushtetit Rama.  

Kjo u konfirmua edhe nga vetë kryeministri i cili haptas pranoi se e kish të pamundur të qeveriste pa Ballukun. Ajo që mbrojti Rama në Gjykatën Kushtetuese përballë SPAK-ut nuk ishte as posti i zv.kryeminstrit dhe as kufiri mes drejtësisë dhe ekzekutivit, por Belinda Balluku si person. 

Që halli i kryeministrit ishte personal shumë më tepër se institucional del qartë nga fakti se në të gjitha rastet e tjera kur SPAK ka arrestuar zyrtarë të lartë të pushtetit, që nga kryebashkiaku deri tek ministra dhe zv.kryeministra, Rama ka heshtur për mos të penguar luftën anti-korrupsion të SPAK-ut.

I vetmi ndryshim mes Ballukut dhe rasteve të tjera nuk është institucional por personal, afërsia e saj me kryeministrin Rama, dhe funksioni i saj si dora e tij e djathtë. Pikërisht për këtë arësye Rama hodhi në erë jo vetëm standartin politik që ai kish vendosur më parë në raport me drejtësinë por edhe standartin politik e vendosur nga qeveritë e mëparëshme ku zv.kryeministrat nën hetim dorëhiqeshin nga pozicioni i tyre.

Standarti politik i Ramës në rastin e skanadalit Balluku ra shumë poshtë nivelit të  berishizmit, që ai vazhdimisht e përdor si kut legjitimimi. Ndaj qeverisjes aktuale i ka rënë edhe fabula e të keqes më të vogël. As Berisha nuk e justifikon më dot pushtetin e Ramës.

Kalbëzimi i qeverisjes aktuale ka marrë përmasa të tilla sa nuk mund të fshihet dot as pas persekutimit nga armiku institucial SPAK dhe aq më pak përballë një kufome politike si Berisha. 

Mbajtja në detyrë e Ballukut pa asnjë shpjegim apo justifikim për qytetarët pas asaj që u shfaq në media vërtetoi se molla e kalbur nuk është përjashtimi por standarti i pushtetit aktual që ushtrohet si profesion privat. Balluku është vetë modeli i qeverisjes Rama ndaj ai e ka të pamundur ta lëshojë atë. 

Në këtë pikë bie edhe e gjithë fabula e futjes në Bashkimin Evropian dhe e evropianizmit dhe modernizimit të shtetit shqiptar. Ndonëse është e vërtetë që Shqipëria kurrë nuk ka qenë më afër BE-së se sot, është po aq e vërtetë se në hisorinë moderne të shtetit shqiptar kurrë nuk kemi pasur një administratë publike më të kalbur se sot. 

Është vështirë të imagjinosh një kohë tjetër, qoftë në komunizëm, qoftë në tranzicion, kur qeverisja është ushtruar në mënyrë kaq voluntariste, duke injoruar në mënyrë kaq tërësore ligjet, procedurat, parimet dhe kanalet e administratës publike. Ylli polar i pothuajse çdo zyrtari të lartë publik sot është thjesht dhe vetëm pasurimi personal.

 Reduktimi i administratës publike në një grup whatsapp-i në funksion të egos, vizionit dhe interesave të kryeministrit Rama është një nga atentatet më të mëdha që i është bërë shtetit shqiptar në të gjithë historinë e ekzistencës së tij, duke përfshirë këtu edhe qeveritë e Berishës. 

Kapja totale e shtetit për interesat personale dhe jo publike që ka prodhur kjo lloj qeverisje e bën krejt të pakuptimtë antarësimin e Shqipërisë në BE. Është një antarësim fasadë që do shërbejë thjesht për ti veshur një kostum evropian Ramës dhe Ballukut që të fshehë kalbëzimin e tyre politik.

Prandaj sot shqiptarët përballen me një qeverisje të vdekur, pa frymë, pa asnjë ideal dhe pa asnjë fabul politike që e legjitimon ekzistencën e saj. Nuk është një qeverisje diktatoriale sepse i mungon fryma, legjitimiteti politik dhe mbështetja e thellë popullore që duhet për të imponuar një diktaturë. Është thjesht një qeverisje e degraduar ku secili e ushtron pushtetin për veten, duke fillluar nga kryeministri Rama. 

Share This Article