Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar publikisht pas raportimeve mediatike që e lidhën emrin e saj me dosjen famëkeqe “Epstein”, duke i cilësuar ato si tërësisht të pavërteta dhe të pabaza.
Në një sqarim zyrtar, Jahjaga thekson se gjatë gjithë ushtrimit të detyrës si Presidente e Republikës së Kosovës, nuk ka pasur asnjë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me Jeffrey Epstein.
Sipas saj, përmendja e emrit të saj në media lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën provë për ndonjë takim apo lidhje personale.
Ajo nënvizon se emri i saj nuk figuron në asnjë dokument të publikuar dhe se në email përmendet vetëm “Presidenti i Kosovës”, pa specifikuar identitetin dhe pa kërkesë për takim në emër të saj.
“Çdo raportim ndryshe është insinuatë dhe mashtrim i opinionit publik”, deklaron Jahjaga, duke kërkuar që ky sqarim të publikohet nga të gjitha mediat që kanë lakuar emrin e saj.
Në dokumentet e publikuara më 29 janar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë përmendet një email i vitit 2012 ku flitet për “Presidentin e Kosovës”, periudhë kur këtë detyrë e mbante Atifete Jahjaga.
Megjithatë, nuk ka asnjë provë që takimi i përmendur të ketë ndodhur apo që ajo të ketë qenë e përfshirë.

