Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj ka folur për akuzat që ish-kryeministri Ramush Haradinaj i ka bërë në drejtim të tij, për shkëmbime territoresh.
Cakaj në RTV Dukagjini ka thënë se ai asnjëherë nuk ka lobuar për ide të tilla, duke pohuar se nuk e ka mbështetur politikisht e as publikisht idenë e shkëmbimit të territoreve.
Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë thotë se e shqetëson fakti që politikanët e Kosovës, përgjegjësitë e tyre karshi qytetarëve po i fshehin duke akuzuar Tiranën zyrtare.
“Ata po bëjnë mbulesë të përgjegjësive të tyre qeveritare, me akuza ndaj Tiranës zyrtare”, tha ai.
Cakaj thotë se Shqipëria nuk mund t’i ndryshojë kufijtë e Kosovës, pasi nuk është në tavolinat e negociatave.
“Kushtetuta e Kosovës e thotë qartë që ndryshimet e mundshme të kufijve, mund të kalojnë vetëm përmes ratifikimit në Kuvend”, tha ai.
Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, thotë se me Haradinajn nuk ka asnjë çështje të hapur dhe se do të ruajë raportet zyrtare me Kosovën.
“Por natyrisht karshi fakteve kokëforta, nuk mund të qëndrojë i heshtur”, deklaroi më tej Cakaj.