Gazeta prestigjioze amerikane “The Washington Post”, në pronësi të miliarderit Jeff Bezos, ka nisur një valë shkarkimesh që prek qindra gazetarë. Numri i saktë i vendeve të punës që do të shkurtohen nuk është bërë ende publik, por sipas “New York Times” do të preken afro 1/3 e punonjësve. Më saktësisht, pritet të largohen rreth 300 nga 800 gazetarët e redaksisë.
Drejtori ekzekutiv i gazetës, Matt Murray e ka cilësuar procesin si pjesë të një ristrukturimi të thellë për të reformuar një media që, sipas tij është “e ndërtuar për një epokë tjetër”. “Ky është një proces i vështirë, por thelbësor për të garantuar të ardhmen e gazetës”, u shpreh Murray, duke pranuar se ristrukturimi përfshin “shkurtime të ndjeshme të stafit”.
Sipas raportimeve, “Washington Post” ka humbur një numër të konsiderueshëm abonentësh, pjesërisht për shkak të vendimeve editoriale të marra nga Jeff Bezos. Gjithashtu, drejtuesit kanë përllogaritur se humbjet financiare vetëm gjatë vitit 2025 ishin rreth 100 milionë dollarë. Zërat për shkarkime kishin qarkulluar brenda redaksisë prej javësh.
Ndryshimet u prezantuan gjatë një mbledhjeje online me punonjësit, pas së cilës anëtarët e stafit nisën të merrnin e-mail ku informoheshin nëse pozicioni i tyre do të shkurtohej apo jo. I çuditshëm ishte fakti se mes redaksive të prekura, nga sporti te kultura dhe lajmet ndërkombëtare, disa gazetare terreni e morrën njoftimin e largimit nga puna ndërsa ndodhen në frontet e luftës nëpër botë.
“Kjo është një nga ditët më të errëta në historinë e gazetës”, shkruante në “facebook” ish-kryeredaktori i “Washington Post”, Martin Baron.

