Negociatorët amerikanë dhe ukrainas po diskututojnë për një objektiv që Rusia dhe Ukraina të bien dakord për një marrëveshje paqeje deri në muajin mars. Sipas kuadrit të diskutuar, çdo marrëveshje paqeje do t’i nënshtrohej një referendumi në Ukrainë, i cili mund të zhvillohej njëkohësisht me zgjedhjet kombëtare.
Zyrtarë amerikanë kanë sugjeruar që ky proces të realizohet sa më shpejt, përpara se fokusi politik i SHBA-së të zhvendoset drejt zgjedhjeve të mesit të mandatit në Kongres në nëntor.
Zgjedhjet dhe referendumi, pengesa ligjore dhe logjistike
Burime pranë negociatave thanë se është diskutuar mundësia që zgjedhjet dhe referendumi të mbahen në maj, por autoritetet zgjedhore ukrainase paralajmërojnë se organizimi i tyre do të kërkonte rreth gjashtë muaj, ndryshime ligjore dhe kosto të larta, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme në vend.
Ukraina kërkon gjithashtu një armëpushim gjatë fushatës zgjedhore, duke shprehur shqetësime për shkelje të mundshme nga Rusia.
Çështjet kyçe mbeten të pazgjidhura
Sipas burimeve, mungesa e përparimit në çështjen territoriale, veçanërisht për rajonin e Donbasit, mbetet pengesa kryesore për një marrëveshje afatshkurtër. Rusia kërkon kontroll të plotë mbi Donbasin, një kërkesë që Kievi e konsideron të papranueshme.
Ngërç mbetet edhe fati i centralit bërthamor të Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, i cili ndodhet në territor të pushtuar nga Rusia.
Skepticizëm për paqe të shpejt
Ndërsa Ukraina ka dërguar negociatorë politikë të nivelit të lartë, delegacioni rus përbëhet kryesisht nga figura ushtarake. Analistët vlerësojnë se, edhe nëse arrihet një marrëveshje, votuesit ukrainas mund të refuzojnë çdo lëshim territorial në referendum.
Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës, përfshirë Krimenë dhe pjesë të Donbasit.

