Qiratë në Shqipëri ndër më fitimprurëset në Europë

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Shqipëria po konsolidohet gradualisht si një nga tregjet më interesante në Europë për investime në pasuri të paluajtshme, veçanërisht në sektorin e qirave. Të dhënat më të fundit mbi kthimet e investimeve nga qiraja nga Investropa tregojnë se disa qytete shqiptare po ofrojnë norma fitimi që tejkalojnë ndjeshëm mesataren europiane, duke e kthyer vendin në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për investitorët vendas dhe të huaj.

Sipas grafikut të publikuar i bazuar në të dhëna nga Banka e Shqipërisë, Numbeo, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, Tirana regjistron një kthim mesatar rreth 7% nga qiratë, një nivel që e vendos kryeqytetin shqiptar përkrah ose mbi qytete si Madridi, Brukseli, Amsterdami dhe Varshava. Ky tregues konsiderohet shumë konkurrues në standardet europiane, ku në shumicën e kryeqyteteve kthimet vështirë se kalojnë 5%.

Përtej Tiranës, Durrësi dhe qytetet bregdetare po shfaqin gjithashtu performancë të fortë. Durrësi, si një nga qendrat kryesore urbane dhe portuale të vendit, përfiton nga kërkesa e qëndrueshme për qira afatgjata dhe afatshkurtra, duke ofruar kthime të krahasueshme me kryeqytetin. Ndërkohë, Vlora shënon rreth 6%, e mbështetur kryesisht nga zhvillimi i shpejtë i turizmit, rritja e numrit të vizitorëve të huaj dhe zgjerimi i ofertës së qirave sezonale.

Në krahasim, tregjet tradicionale të Europës Perëndimore rezultojnë shumë më pak fitimprurëse. Qytete si Parisi, Mynihu, Zyrihu, Londra apo Vjena ofrojnë kthime që variojnë kryesisht mes 3 dhe 4%, ndërsa në disa raste edhe më pak. Kjo diferencë shpjegohet me çmimet shumë të larta të blerjes së pronës, rregullimet e forta të tregut të qirave dhe një nivel të lartë maturimi të këtyre tregjeve.

Nga ana tjetër qyteti I Portos në Portugali mban fitimet më të larta nga qiratë në kthimin e pronës. Porto pasohet  nga Roterdami, Stambolli dhe Dublini ku cilësohen si vende ku investimi kthehet nga qiratë më shpejt .

Në tërësi, të dhënat sugjerojnë se Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më fort në hartën europiane të investimeve në pasuri të paluajtshme, jo vetëm si një treg në zhvillim, por si një alternativë reale për investitorët që kërkojnë kthime më të larta krahasuar me tregjet e konsoliduara të BE-së.

Share This Article