Një projekt turistik në UNESCO: Sa rrezikon Pogradeci trashëgiminë natyrore?

albnews
By
22 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Dy ide “zhvillimi” po përplasen në Pogradec: njëra e sheh bregun e Liqenit të Pogradecit si trashëgimi natyrore e kulturore për t’u ruajtur, tjetra e trajton si truall për projekte masive turistike. Ky shkrim është një opinion kritik mbi projektet shumëkatëshe dhe transformimin urban që po i kanoset vijës së bregut liqenor në një zonë të mbrojtur dhe të lidhur me statusin e UNESCO-s së Liqenit të Ohrit.

Opinionin e mëposhtëm e ka shkruar Christian Défarge, lektor i lartë i geobiologjisë mjedisore në Universitetin e Orléans (Francë), i cili drejton një program studimi për inxhinieri gjeo-mjedisi dhe “qytetin e qëndrueshëm”, si dhe është kërkues shkencor në fushën e hidrogeologjisë dhe mjedisit.

1. Jo projektit të marinës me “rrokaqiej” në Giverny!

Imagjinoni një projekt kompleksi turistik, me dhjetëra kulla deri në 27 kate, të ngulitura diku midis lumit Seine në Paris, shtratin e të cilit do ta grryenin për të ndërtuar një port të madh për motoskafë dhe “jet-ski”, ose diçka të ngjashme në kopshtin e zambakëve të ujit të Monet-it, pothuajse i paprekur për më shumë se një shekull, në fshatin Giverny (Francë). Udhëtarë nga mbarë bota do të indinjoheshin dhe do të protestonin me forcë, që nga Amerika deri në Japoni e Kinë, sigurisht nëse zoti Xi nuk do të kishte kundërshtim.

E pra, kjo është ajo që po kërcënon në heshtje qytetin e vogël të Pogradecit në Shqipëri, në bregun jugor të Liqenit të Ohrit, në kufi me Maqedoninë e Veriut, i listuar në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s për vlerat e tij të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore.

Pikërisht në këtë qytet, zgjohet çdo mëngjes, ashtu si Monet-i me dritën e mëngjesit, një nga piktorët më të mëdhenj të Shqipërisë, artisti më i madh i gjallë sipas kolegëve të tij, Anastas Kostandini, i njohur me emrin artistik Taso.

Pogradecar i lindur (29 Korrik 1954), në kopshtin e tij artistik, Taso e ka kthyer këtë “vend të vogël”, me peizazhet, rrugët dhe banorët e tij, në një xhevahir universal.

Sipas Miguel Torgës, universali është “vendaliu pa mure”. Për ta thënë ndryshe, kolegu i Tasos, Salvador Dalí, përdori moton e Michel de Montaigne: “Njeriu mund të arrijë universalën vetëm duke u nisur nga ultra-vendorja”.

Mirëpo “lokales pa mure” duan t’i kundërvihen disa biznesmenë pa kulturë dhe arsim nëpërmjet një projekti që nuk ka asgjë të përbashkët me jetën vendore, duke krijuar përkundrazi mure të larta që shkatërrojnë peizazhin dhe çdo aset lokal, dhe duke transformuar atë çka ishte fillimisht një fshat modest peshkatarësh në një mini-Dubai.

Më e keqja është se këtë e bëjnë me mbështetjen e politikanëve pa vizion, gjoja nën pretekstin dhe premtimin, si kudo tjetër, të përfitimeve ekonomike – në fakt, kur nuk mund t’u sigurosh pjesës më të madhe të njerëzve një jetë të denjë, u premton “telebingon” e turizmit.

2. Kundër trans-peizazhimit global dhe uniform

Siç dihet, liqeni që rrethon Pogradecin është i regjistruar si Trashëgimi Botërore e UNESCO-s për vlerat e tij natyrore dhe kulturore. Por përtej kësaj njohjeje zyrtare, ai është edhe shembulli i përsosur i një socio-ekosistemi virtuoz me dy karakteristika të tjera të jashtëzakonshme që do t’ia vlente t’i përmendim.

Gati 300 metra i thellë, ky liqen është më i thelli në Ballkan dhe një nga më të vjetrit në botë, madje më i vjetër edhe se vetë njerëzimi. I konsideruar edhe si një nga më të pasurit me specie endemike, liqeni është para së gjithash një fenomen i rrallë gjeologjik: ushqimin kryesor ujor e merr nga një tjetër liqen, 150 metra më lart se ai, Prespa e Madhe (e përbashkët mes Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut) nëpërmjet korridoreve nëntokësore karstike. Ndërsa Prespa e Madhe furnizohet vetë, përmes një shiriti të ngushtë toke (Koula) nga Prespa e Vogël, e ndodhur vetëm 3 metra më lart, mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Urë lidhëse midis tre vendeve ballkanike, Liqeni i Ohrit vazhdon rrjedhjen e tij nëpërmjet Drinit të Zi, duke përshkuar Maqedoninë e Veriut dhe më pas Shqipërinë, për t’u derdhur së fundi në Detin Adriatik pranë kufirit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi (njësoj si – në mënyrë simbolike – “Emigrimi i ngjalave”, kaq domethënëse për shkrimtarin e madh shqiptaro-maqedonas Luan Starova, me origjinë nga Pogradeci).

Kjo mënyrë qarkullimi ujërash në formë kaskade, e ushqyer nga burime nëntokësore ujërash të ëmbla, i jep liqenit një pastërti dhe qartësi të kulluar. Fatkeqësisht, kjo kthjelltësi do të errësohej përgjithmonë nga reflektimi monstruoz dhe i zymtë i mureve gjigante prej xhami dhe betoni.

Por ky vend nuk është i jashtëzakonshëm vetëm për veçoritë e tij natyrore dhe faktin që ka mbetur pothuajse i paprekur. Ai është i jashtëzakonshëm edhe për autenticitetin e ruajtur të fshatrave përreth, mentalitetin e banorëve, të cilët ndajnë me njëri-tjetrin të njëjtin stil jetese apo zakone kulinare, në të gjitha brigjet e liqenit.

Dhe askush deri më sot, as në bregun maqedonas në Ohër apo Strugë, shumë herë më të frekuentuar nga turistët pasi bregu i liqenit ka shërbyer dhe shërben si rivierë për një vend pa akses në det, nuk e kishte deformuar kësisoj peizazhin unik socio-kulturor, me të tillë shkatërrim, si projekti i ri i Pogradecit.

Ky projekt i ashtuquajtur zhvillim, i njohur dhe i aplikuar prej vitesh në bregun e Mesdheut, mund të përshkruhet si “trans-peizazhim”. Ashtu si trans-humanizmi, qëllimi i tij është që, nën petkun e gjoja perspektivave marramendëse dhe garës për konkurrencë globale në turizëm, të maskojë mungesën e vullnetit politik për të ndërmarrë aksione konkrete për të ruajtur karakterin lokal, për të mbrojtur mjedisin dhe përmirësuar jetesën e banorëve rreth e qark.

Në fakt, trans-peizazhizmi promovon një lloj uniformiteti global që prodhon vetëm varfëri.

Ky projekt është jo vetëm i papranueshëm dhe përbuzës ndaj banorëve të Pogradecit dhe rajonit përreth, por duket edhe krejtësisht i marrë, pasi ndërtesa e vetme disi e lartë në qytet (10 kate), e ndodhur jo larg perimetrit të ndërtimit, ka maksimumi një deri në tre apartamente të banuara. Por ndoshta qëllimi i tij i vërtetë nuk është t’i shesë ose t’i japë me qira këto banesa dhe vende parkimi, por vetëm thjesht t’i ndërtojë?

3. Këtu rreh zemra e Evropës

Si qytetarë të kësaj bote kemi jo vetëm të drejta, por edhe detyrime ndaj objekteve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe më gjerë në mbrojtje të njerëzimit, vlerave të tij dhe planetit nga politikat “zhvilluese” që po kërcënojnë seriozisht integritetin e tyre dhe të ardhmen e brezave që vijnë.

Si qytetarë evropianë, detyrimet janë më të mëdha ndaj kësaj pjese të panjohur, të nënvlerësuar dhe të neglizhuar të Evropës, siç është rajoni i Liqenit të Ohrit.

Sepse, së pari, rajoni ka qenë etapë thelbësore e Via Egnatia-s, e cila lidhte Romën me Bizantin, nga bregu i Adriatikut dhe përmes bregut verior të liqenit, duke kontribuar në përhapjen e krishterimit në të gjithë rajonin. Pikërisht në brigjet e këtij liqeni, dy dishepujt e Kirilit dhe Metodit, Klementi dhe Naumi, thuhet se kanë qenë kontribues të rëndësishëm në krijimin e alfabetit cirilik, i përdorur ende sot nga gjysma lindore e Evropës (ky alfabet u bazua në një tjetër alfabet më të hershëm, glagolitik, i hartuar nga Kirili dhe Metodi, me qëllim ungjillëzimin e popujve sllavë duke filluar nga Kostandinopoja).

Në vitin 886, Klementi themeloi shkollën e tij letrare në Ohër, e konsideruar jo vetëm si universiteti i parë në Ballkan dhe universiteti i parë sllav, por edhe më i lashti në Evropë, duke i paraprirë me gati 1 apo 2 shekuj universiteteve të Parmës, Bolonjës, Oksfordit apo Sorbonës, të cituara si më të vjetrat në Evropë).

Naumit i njohim manastirin e famshëm që mban emrin e tij në bregun jugor të liqenit, aty ku ndodhet dhe varri i tij, i kthyer në një nga vendet më të njohura të pelegrinazhit ortodoks. Vetë Ohri konsiderohet si Jeruzalemi i sllavëve.

Në Ohrin e mrekullueshëm, në fund të shekullit të XIII, në kupolat dhe muret e Kishës së Shën Nënës së Zotit Perivleptos, dy vëllezërit grekë, Michalis Astrapas dhe Eutychios, të formuar si piktorë në Malin e Athosit, thyen traditën e afreskeve bizantine duke sjellë elemente novatore në planin e perspektivës, realizmit, anës emocionale dhe sensibilitetit, të cilat do të revolucionarizonin pikturën evropiane, pasi do të përvetësoheshin dhjetë vjet më vonë në fresket e Kapelës Scrovegni në Padovë nga vetë Giotto, paraardhësi i Rilindjes Italiane.

Ishte përsëri këtu, në pjesën anësore të kësaj kishe, që në vitin 1516 u konceptua pinakoteka e parë, e konsideruar si galeria më e vjetër e artit në botë.

Nuk mbaron me kaq! Në anën tjetër të kreshtave malore që rrethojnë liqenin është Manastiri (Bitola), në Maqedoninë e Veriut, vendi ku ndodhen varrezat më të mëdha ushtarake franceze jashtë territorit të Francës (një tjetër është në Korçë, Shqipëri), dëshmi të kobshme dhe të heshtura të rëndësisë së Frontit Lindor gjatë Luftës së Parë Botërore, i cili luajti një rol jo të vogël në fitoren përfundimtare të Aleatëve, krejt i neglizhuar sot nga kujtesa perëndimore (ashtu si qindra luftëtarët afrikanë që prehen atje, larg vendlindjes së tyre).

Ndërsa në Florinë, Greqi, dhe rrethinat e saj, peizazhet u bënë sfondi dhe burimi i frymëzimit për shumë nga kryeveprat e Theo Angelopoulos, më evropiani i regjisorëve rajonalë.

E pra, në këtë “tjetër Evropë” që edhe Milan Kundera e la padrejtësisht në harresë, ashtu si të gjithë në Perëndim, pikërisht për faktin se është tepër ortodokse dhe myslimane, zemra e tërë Evropës rreh këtu më fort se kudo.

Dhe këtë zemër, të ardhur nga lashtësia por që është ende gjallë, të vendosur gjeografikisht majtas-poshtë, sepse më afër rrënjëve latine-kristiane dhe greke të qytetërimit evropian, duan ta zëvendësojnë me një zemër artificiale dhe pa shpirt, të shkëputur nga realiteti, për të projektuar nga kompjuteri një uniformitet peizazhesh ku gjithçka në botë të ngjasojë me një ekskavator gjigant global, për të shërbyer si sfond unik për video reklamuese turistike.

Në vend që të ruajmë territorin, ta bëjmë të jetojë më mirë apo ta ringjallim, barbarët përgatiten të shkaktojnë vdekjen e saj përfundimtare përmes një transplanti të kotë dhe pa asnjë perspektivë.

Atë çfarë nuk arritën të zhdukin konfliktet e shumta që kanë përfshirë rajonin, nga luftërat ballkanike në fillim të shekullit të XX, me eksperimentet e artilerisë së rëndë apo deportimet dhe masakrat masive e deri te dy luftërat botërore, atë çka kanë dështuar të shkatërrojnë fashizmi, komunizmi, maoizmi dhe, më në fund, stalinizmi, në aspektin e jetës autentike dhe natyrës në brigjet e këtij liqeni, një grusht barbarësh të etur për para ka të ngjarë ta arrijë brenda pak muajsh.

4. Për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm: turizmit stacionar

Shqipëria gati po asfiksohet nga invazionet turistike, që në një farë mënyre i ka provokuar vetvetes: aeroporti i kryeqytetit, edhe pse i zgjeruar së fundmi, është i mbipopulluar gjatë gjithë stinës së verës.

Për të akomoduar turmat në rritje të pushuesve në plazh, një aeroport i dytë është duke marrë formë në jugperëndim të vendit, pranë Vlorës, midis estuarit të Vjosës dhe lagunës së Nartës, dy zona të mbrojtura natyrore, duke shpërfillur rrezikun e ndërprerjes së migracionit të zogjve, për të cilin zona shërben si ndalesë thelbësore.

Kufijtë e saj tokësorë po bëhen gati të pakalueshëm, rrugët janë të mbipopulluara, plazhet të tejngopura…

Çka është për të ardhur keq është fakti se ky fluks turistik nuk vjen nga dëshira për të zbuluar veçoritë unike të këtij vendi – më ka ndodhur shpesh të dëgjoj dialogje turistësh në kthim, teksa presin në sallonet e aeroportit, të cilët pyesin njëri-tjetrin se ç’do këtu ky flamur me dy koka shqiponjash, ose pse ka kaq shumë xhami në këtë vend evropian…

Jo, arsyeja kryesore është se kostoja e jetesës është ende e ulët në krahasim me diku tjetër në bregun verior të Mesdheut. Dhe kur, ashtu si në Kroaci dhe Mal të Zi, çmimet edhe këtu do të rriten ndjeshëm, rrjedhat turistike do të zhvendosen akoma më në jug, po qe nevoja deri në Mozambik apo Bangladesh.

Ndaj, ky model zhvillimi turistik është pa të ardhme të vërtetë.

Nga ana tjetër, restoranti më i njohur në Shqipëri, “Mrizi i Zanave”, pranë Lezhës, në veriperëndim të vendit, shërben si pikë referimi për lëvizjen globale “Slow Food”, ashtu si “Fustanella” në Petrelë, një nga më të mirët në Tiranë dhe rrethinat e saj, të dy shembuj të agroturizmit që po përhapet në të gjithë vendin.

“Hani i Gështenjave”, në lartësitë e Pogradecit, i konceptuar mbi një fermë dhe me një pamje mahnitëse mbi liqen, është një shembull tjetër i kohëve të fundit.

Nuk mund të lëmë pa përmendur zonën e Përmetit, pranë kufirit jugor me Greqinë, e cila prej kohësh i është përkushtuar ekoturizmit. Këto iniciativa dëshmojnë se një lloj tjetër turizmi është i mundur në Shqipëri.

Shembull i përkryer është qasja tradicionale ndaj turizmit që lëvrohet ende përreth Liqenit të Ohrit, dhe kjo, pavarësisht frekuentimit të madh gjatë stinës së verës.

Ky model turizmi respekton jetën e banorëve dhe natyrën përreth, autenticitetin e zonës, ku secili ruan karakterin dhe veçoritë e veta specifike. Kjo lloj mënyre e të bërit turizëm përputhet në mënyrë të përkryer me idenë e “gjendjes statike”, të teorizuar nga ekonomisti anglez John Stuart Mill: zhvillim pa prishur ekuilibrin natyror dhe kulturor, përmirësim pa turbulluar gjithçka, progres pa shkatërrim – i vetmi progres i vërtetë.

Ka shumë për të bërë në zonën e Pogradecit për të arritur këtë “model statik”: përmirësimi i cilësisë së ujit të lumit që derdhet në liqen; rregullimi i trotuareve dhe zonave për këmbësorë; pistat e biçikletave; sinjalizimi i shtigjeve për shëtitje dhe i thesarëve natyrorë dhe kulturorë; zgjerimi i gamës së akomodimit tradicional, etj.

Sa do të na pëlqente të gjithëve, p.sh., ideja e krijimit të një muzeu të madh modern dedikuar liqenit, në vendin e projektit famëkeq.

Muze të tillë limnologjikë njihen gjithsej vetëm tre në botë, ndryshe nga muzetë oqeanografikë, të cilët janë të shumtë. Dhe njëri prej të treve ndodhet pikërisht në brigjet e Liqenit Baikal, shumë i ngjashëm me Liqenin e Ohrit, për nga vjetërsia me miliona vjet, biodiversiteti i jashtëzakonshëm, përfshirë speciet endemike, si edhe statusi i Trashëgimisë Botërore.

Pse jo pra një muze që përshkruan dhe ilustron historinë natyrore dhe kulturore të liqenit, duke filluar nga gjeologjia dhe biologjia e tij unike (origjina tektonike dhe karstike, mënyra e furnizimit me ujë, korani, sfungjerët, algat mikroskopike, kërmijtë, etj.), duke vazhduar më tej me vendbanimet e ndryshme në brigjet e liqenit, siç është banesa qindravjeçare e sapozbuluar pranë Linit, në veriperëndim të bregut shqiptar, e njohur si vendbanimi më i vjetër i këtij lloji në Evropë, për të përfunduar me figurat artistike dhe letrare që ka nxjerrë ky vend, si fotografi Misto Çiçi apo piktori Anastas Kostandini, me salla të dedikuara promovimit të shkrimtarëve të tij të mëdhenj por pak të njohur në botë, si Lasgush Pogradeci dhe Mitrush Kuteli (letërsia shqiptare nuk fillon dhe mbaron me Ismail Kadarenë).

Një muze që mund të sponsorizohej nga vetë UNESCO.

Aktualisht, muzeu i vetëm që prezanton trashëgiminë natyrore dhe kulturore të zonës së Liqenit të Ohrit ndodhet në Strugë, në bregun verior maqedonas.

Ky muze, i themeluar në vitin 1928 nga Nikola Nezlobinski, një mjek rus i internuar pas Revolucionit të vitit 1917, ndodhet sot në gjendje jo të mirë megjithë pozicionin e tij të jashtëzakonshëm gjeografik, në Gjirin e Kockave, në Peštan. Gjithashtu, koleksionet arkeologjike të muzeut të vogël në Pogradec meritojnë një ambient më mbresëlënës.

Po ashtu, ai i dedikuar Misto Çiçit, i vendosur aktualisht në banesën e tij familjare, për të mos folur për shtëpinë e Lasgush Pogradecit, pothuajse e mbyllur shumicën e kohës.

Ky lloj muzeu mund të tërhiqte një shtresë tjetër turistësh, përfshirë ata përtej kufirit dhe gjithë vendeve sllave, për të cilët ndalesa e fundit është zakonisht manastiri i Shën Naumit.

Ky muze do të favorizonte për rrjedhojë edhe dialogun midis dy brigjeve, duke nderuar kështu edhe Luan Starovën, shkrimtar i ushqyer pikërisht nga gjithë këto identitete lokale, të cilave u kushtoi pjesën më të madhe të veprës së tij, mendimtar largpamës i cili druhej se “Ballkani do të mbetet i mallkuar për sa kohë që kufijtë e tij nuk do të harrohen”.

Muzeu mund të konceptohet në formën e një hapësire të vetme, të ajrosur dhe të hapur, me fasada transparente si vetë ujërat e liqenit, në mënyrë që të mos pengojë perspektivën dhe pamjen e liqenit nga qyteti apo të qytetit nga bregu i liqenit.

Hapësira duhet të jetë në gjendje të presë ekspozita të përkohshme dhe të promovojë figura artistike, letrare dhe shkencore të anës tjetër të liqenit (Vangel Kodžoman, vëllezërit Miladinov, Nikola Nezlobinski…).

Me një fjalë, krejt e kundërta e projektit aktual, i cili është opak, mbytës, si ndonjë Perde e Hekurt në breg të liqenit, apo si port-avion funebër i një flote që përgatitet ta gllabërojë liqenin, para të cilit flota franceze aktive gjatë Luftës së Parë Botërore e Ohrit dhe Prespës do të dukej në retrospektivë jo më kërcënuese se ajo e anijeve tradicionale të peshkimit.

Së fundi, një muze që do të nxirrte në dritë sfidat e ruajtjes së kësaj trashëgimie, rrezikun nga peshkimi i tepruar, nga ndotjet minerale, ndërtimet e pakontrolluara, ulja e niveleve të liqeneve, tashmë të dukshme në të dy liqenet e Prespës.

Ndërsa vijat bregdetare kudo po tërhiqen për shkak të ngritjes së niveleve të detit si rezultat i ngrohjes globale, në liqene po ndodh e kundërta: ato tërhiqen, siç është shembulli konkret në liqenet e Prespës, të cilat rrezikojnë tharjen, ashtu siç ndodhi me Detin Aral…

Marrë nga Citizens.al

Share This Article