Rama ‘në flakët e bulevardit’: drejtësi pa ngurrim për protestuesit, heshtje për skandalet

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur sërish të ushtrojë presion publik ndaj sistemit të drejtësisë, këtë herë duke kërkuar dënimin “pa ngurrim” të protestuesve të opozitës pas përplasjeve me policinë.

Në një postim në rrjetet sociale, ai jo vetëm që sulmoi opozitën me gjuhë fyese, por edhe i bëri thirrje të drejtpërdrejtë gjykatave që të japin ndëshkime shembullore.

“Këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe  djegur e plagosur mbrëmë punonjësit e policisë, nga e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës së tërë – pas asaj të famëkeqit Robert Mugabhe të Zimbabves – që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur!

Uroj që drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës!

Sa për fatin politik të këtij cikli të ri jashtënxjerrjesh në bulevard, ai do të shkruhet si zakonisht në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me një disfatë ende më shembullore se sa të mëparshmet, ndërkohë që ne do të vazhdojmë pa u ndalur  rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian,” shkruan Rama.

Ky qëndrim vjen në një kohë kur vetë Rama dhe Grupi Parlamentar Socialist njoftoi se do të angazhohet për ta adresuar çështjen e Ballukut përmes ndërhyrjeve në legjislacion. Qëllimi, sipas tyre, është qartësimi i kuadrit ligjor për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.

Pra, ndërsa për protestuesit kërkohet “dorë e hekurt”, për bashkëpunëtorët e afërt ndërtohet mburojë ligjore.

Presion publik ndaj drejtesise

Deklarata e Ramës nuk ishte thjesht reagim politik. Ajo ishte një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj drejtësisë: dënoni protestuesit. Kjo përbën një formë presioni publik ndaj një sistemi që, sipas Kushtetutës, duhet të jetë i pavarur.

Prej kohësh, kur drejtësia ka hetuar figura pranë qeverisë, retorika ka qenë krejt tjetër, sulme ndaj prokurorëve, apo heshtje strategjike.

Ndërsa kur bëhet fjalë për opozitën, kërkohet reagim i menjëhershëm dhe ndëshkim maksimal.

Heshtja për gaz lotsjellës të skaduar

Rama 'në flakët e bulevardit': drejtësi pa ngurrim

Policia ka përdorur përsëri gaz lotsjellës të skaduar në protestën e opozitës, për të shpërndarë protesuesit.

Gazetari Osman Stafa, i pranishëm në terren gjatë protestës, ka raportuar se një prej bombolave të gazit të përdorur ishte e skaduar që nga janari i vitit 2019.

Ky nuk është rasti i parë. Në protestën e fundit të PD-së, u përdor po ashtu gaz lotsjellës i skaduar, i vitit 2023, duke ngritur shqetësime mbi sigurinë dhe efektet ndaj protestuesve dhe mediave të pranishme.

Ngjarja nxjerr në pah përdorimin e mjeteve të pasigurta nga forcat e rendit gjatë ndërhyrjeve në protesta, duke rritur rrezikun për qytetarët dhe gazetarët në terren.

Për këtë skandal nuk ka pasur as reagim publik, as kërkesë për përgjegjësi, as tone të ashpra nga kryeministri.

Nëse siguria e efektivëve është prioritet, atëherë përgjegjësia duhet të jetë e njëjtë në çdo rast – si për protestuesit që hedhin mjete shpërthyese artizanale, ashtu edhe për strukturat shtetërore që furnizohen me pajisje jashtë standardeve./POLITIKO

Share This Article