Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur brengën e saj në lidhje me sulmin përmes zjarrit që ndodhi në një shkollë në komunën Tumbler Ridge në Kanada që la të vrarë 10 persona më 11.02.2025.
“Asnjë prind, asnjë fëmijë, asnjë komunitet nuk do të duhej kurrë të përjetonte një tragjedi të tillë. Ne vajtojmë me popullin e Kanadasë dhe shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet që po përballen me këtë humbje të paimagjinueshme. Po ashtu, mendimet tona janë me të gjithë të lënduarit” – ka shkruar Osmani në “X”.
“Kosova qëndron fuqishëm pranë Kanadasë në këtë kohë zie”- shtoi ajo.
Dhjetë persona, përfshirë autoren e të shtënave, kanë humbur jetën pasi një sulmuese, hapi zjarr në një shkollë të mesme në Kanadanë perëndimore të martën, në një nga ngjarjet më vdekjeprurëse me viktima masive në historinë e fundit të vendit, raporton Reuters.
Sulme të ngjashme me armë zjarri janë më të zakonshme në SHBA-në fqinje, dhe ky në Kanada u krye nga një autore e përshkruar si grua, kanë njoftuar autoritetet.
Gjashtë persona u gjetën të vdekur brenda një shkolle të mesme në qytetin Tumbler Ridge në Kolumbinë Britanike, dy të tjerë u gjetën të vdekur në një banesë që besohet se lidhej me incidentin, ndërsa një person tjetër vdiq gjatë rrugës për në spital, ka njoftuar Policia Mbretërore Kanadeze (RCMP).
Të paktën dy persona të tjerë u shtruan në spital me lëndime të rënda ose kërcënuese për jetën, ndërsa deri në 25 persona po trajtohen për lëndime që nuk rrezikojnë jetën, thanë autoritetet.
Një e dyshuar si autore e sulmit u gjet gjithashtu e vdekur nga ajo që duket të ketë qenë një plagë e vetëshkaktuar, thanë autoritetet, duke shtuar se nuk besonin se kishte të dyshuar të tjerë apo ndonjë kërcënim të vazhdueshëm për publikun.
“Është e vështirë të dish çfarë të thuash në një natë si kjo. Është diçka që të duket sikur ndodh në vende të tjera dhe jo afër shtëpisë” – u ka deklaruar gazetarëve kryeministri i Kolumbisë Britanike, David Eby.
Policia nuk dha pothuajse asnjë detaj për autoren, përveç faktit se u përshkrua si femër — një zhvillim potencialisht i pazakontë, pasi sulmet masive me armë zjarri në Amerikën e Veriut kryhen pothuajse gjithmonë nga burra.
Një alarm policor për sulmues aktiv njoftonte se e dyshuara përshkruhej “si femër me fustan dhe flokë kafe”. Më vonë, në një konferencë për shtyp, shefi i policisë, Ken Floyd, konfirmoi se e dyshuara e përshkruar në alarm ishte i njëjti person që u gjet e vdekur në shkollë. Policia nuk bëri të ditur sa prej viktimave mund të kenë qenë të mitur.
Tumbler Ridge është komunë e largët me rreth 2,400 banorë rrëzë të maleve Rocky, në veri të Kolumbisë Britanike, rreth 1,155 kilometra në verilindje të Vankuverit. Pamjet e qytetit tregojnë një peizazh të mbuluar me dëborë, të mbushur me pisha.
Shkolla e Mesme, Tumbler Ridge, ka 160 nxënës nga klasa e shtatë deri në të dymbëdhjetën, afërsisht nga mosha 12 deri në 18 vjeç, sipas faqes së saj të internetit. Shkolla do të qëndrojë e mbyllur për pjesën tjetër të javës dhe do të ofrohet këshillim për ata që kanë nevojë, thanë zyrtarët e shkollës.
