Kryeministri britanik, Keir Starmer, i ka kërkuar pronarit të klubit Manchester United, Jim Ratcliffe, që të kërkojë falje për deklaratën e tij se Mbretëria e Bashkuar është ‘kolonizuar nga emigrantët’, ka raportuar të enjten (12.02.2026) televizioni BBC.
Starmer i ka cilësuar komentet rreth imigracionit të bëra nga miliarderi bashkëpronar i klubit të futbollit si “ofenduese dhe të gabuara”.
Ratclffe, themelues i një prej kompanive më të mëdha kimike në botë, Ineos, ka deklaruar për televizionin Sky News të mërkurën se Mbretëria e Bashkuar është “kolonizuar nga emigrantët” dhe ka sugjeruar se kryeministri është “shumë i sjellshëm” që të kryejë “punë të vështira” për të stabilizuar ekonominë e vendit.
Starmer u kundërpërgjigj duke thënë se Britania është “një vend krenar, tolerant dhe i larmishëm” dhe i bëri thirrje Ratcliffet që të kërkojë falje.
Një zëdhënës i Downing Street ka thënë se komentet “u shërbejnë atyre që duan të ndajnë vendin tonë”.
BBC-ja i është drejtuar Ineos dhe Manchester United për koment, por nuk ka marrë përgjigje.
Ratcliffe ka deklaruar për Sky News: “Nuk mund të kesh një ekonomi me nëntë milionë njerëz që marrin ndihma dhe nivele të mëdha emigrantësh që vijnë. Dua të them, Mbretëria e Bashkuar është kolonizuar. Po kushton shumë para”.
“Mbretëria e Bashkuar është kolonizuar nga emigrantët, me të vërtetë, apo jo?” – ka pyetur ai.
Ai ka përmendur shifra të pasakta për të mbështetur pretendimin e tij, duke i thënë Sky: “Dua të them, popullsia e Mbretërisë së Bashkuar ishte 58 milionë në vitin 2020, tani është 70 milionë. Janë 12 milionë njerëz”.
Sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare, vlerësimi për popullsinë e Mbretërisë së Bashkuar në mesin e vitit 2025 ishte 69.4 milionë, krahasuar me 66.7 milionë në mesin e vitit 2020.
Ratcliffe i bëri komentet gjatë një interviste me redaktorin ekonomik të Sky News, Ed Conway, në periferi të Samitit të Industrisë Europiane në Antverp, Belgjikë.
Vërejtjet u dënuan nga grupe të ndryshme tifozësh, përfshirë Manchester United Supporters Trust, që ka shkruar në X: “Asnjë tifoz nuk duhet të ndihet i përjashtuar nga ndjekja ose mbështetja e klubit për shkak të racës, fesë, kombësisë ose prejardhjes së tij. Komentet nga udhëheqja e lartë e klubit duhet ta bëjnë përfshirjen më të lehtë, jo më të vështirë”.

