Angela Merkel drejt rikthimit në skenën politike? BILD: Mund të kandidojë për postin e presidentes federale

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Pas 16 vitesh në krye të kancelarisë dhe pasi u konsolidua si një nga figurat më të njohura të skenës politike gjermane, Angela Merkel u tërhoq nga politika aktive pas zgjedhjeve federale të vitit 2021.

Megjithatë, sipas informacioneve të gazetës “Bild”, në disa qarqe të CDU-së po forcohet një zë që ka ngjallur interes të madh, mundësia që ajo të kandidojë për postin e presidentes federale të Gjermanisë.

Siç raportojnë mediat gjermane, një skenar i tillë mund të krijojë probleme politike brenda CDU-së, pasi Angela Merkel vazhdon të gëzojë popullaritet të konsiderueshëm edhe tek Partia e Gjelbër.

Madje, ka spekulime se vetë të Gjelbrit, ose Cem Özdemir, ministër dhe figurë e njohur e tyre nga land-i Baden-Württemberg, mund ta propozojnë atë për postin më të lartë shtetëror në Gjermani, atë të presidentit federal.

Nëse do të ndodhte diçka e tillë, kryetari i CDU-së, Friedrich Merz, do të përballej me një situatë të vështirë.

Nga njëra anë, do të ishte e arsyeshme të mbështeste një kandidaturë që vjen nga i njëjti formacion politik. Nga ana tjetër, marrëdhënia relativisht e mirë e Merkel me të Gjelbrit, të cilët janë kundërshtarë politikë të CDU-së, mund ta vendoste atë në një pozitë të sikletshme politike.

Marrëdhënia “e vështirë” Merz – Merkel

Marrëdhëniet mes Merz dhe Merkel kanë një histori tensionesh. Në vitin 2002, Merkel e largoi atë nga posti i kreut të grupit parlamentar të CDU-së dhe më vonë ai u shndërrua në një nga kritikët kryesorë të saj brenda partisë. Edhe pse i përkasin të njëjtës forcë politike, kjo e kaluar e bën situatën më të ndërlikuar.

Sipas të njëjtave burime, Merkel do të kishte avantazh ndaj kandidatëve të tjerë të mundshëm të CDU-së, si ministrja e Arsimit Karin Prien dhe presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner.

Veçanërisht Klöckner konsiderohet e vështirë të pranohet nga parti si të Gjelbrit dhe SPD, pasi shihet si shumë pranë Merz-it politikisht. Kjo ka rëndësi, sepse për t’u zgjedhur president në Gjermani nevojiten vota nga më shumë se një parti.

Në qarqet partiake dhe qeveritare, sipas “Bild”, po rritet shqetësimi dhe po shqyrtohet mundësia që CDU të shpallë kandidatin e vet brenda javëve të ardhshme. Kjo do të ishte jashtëzakonisht herët, duke qenë se zgjedhja e presidentit është parashikuar për shkurt 2027, çka tregon se sa seriozisht po trajtohet çështja.

Ndërkohë, ish-kancelarja po shfaqet gjithnjë e më shpesh në publik dhe po tërheq vëmendje të madhe. Ajo synon gjithashtu të marrë pjesë në kongresin federal të CDU-së në shkurt, gjë që ka ngjallur interes, pasi vitet e fundit nuk kishte qenë e pranishme.

Shumëkush beson se qëndrimi i saj atje mund të japë sinjale për planet e saj të ardhshme, diçka që Merz pritet ta ndjekë me shumë vëmendje.

Share This Article