Pas 12 vitesh qëndrimi në Siri, Eva Dumani, vajza shqiptare e vetme e mbetur në kampin e njohur “Al Hol”, është rikthyer në Tiranë pranë nënës dhe vëllait të saj.
Në lidhje me këtë rast, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njofton se operacioni për kthimin e shtetases E.D. u realizua me sukses falë koordinimit midis disa institucioneve të shtetit shqiptar dhe përfaqësisë diplomatike të vendit në Turqi.
Operacioni u mundësua gjithashtu me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht autoriteteve turke, të cilave Ministria u shpreh falënderime për bashkëpunimin në këtë rast sensitiv.
Kujtojmë se Eva Dumani ishte vetëm 9 vjeçe kur mbërriti në Siri me vëllain e saj Endri Dumani dhe të atin, Shkëlzen Dumani i cili sipas të dhënave humbi jetën gjatë luftimeve atje.
Më vonë, edhe gjyshja e saj ndërroi jetë gjatë përpjekjejeve për ta nxjerrë Evën nga kampi famëkeq “Al Hol”, ku strehohen kryesisht gra dhe fëmijë të të ashtuquajturve luftëtarë të organizatës terroriste ISIS.
Eva mbeti e vetme në kamp pasi në tetor të vitit 2020, vëllai i saj, Endri Dumani, u riatdhesua në Shqipëri gjatë një operacioni të kryer nga Njësia Antiterror në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.
Eva Dumani është e fundit që rikthehet në atdhe nga kampet e xhihadistëve, ku u dërgua si fëmijë. Sot ajo është 21 vjeçe.
Sipas të dhënave, në kampin “Al Hol” dhe në kampe të tjera të ngjashme në Siri vijojnë të qëndrojnë ende disa shtetas shqiptarë, kryesisht gra dhe fëmijë, disa prej të cilëve nuk kanë shprehur vullnet për t’u rikthyer.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme rikonfirmon gatishmërinë dhe vullnetin për t’iu përgjigjur çdo rasti, nevoje apo situate që prek shtetasit shqiptarë jashtë kufijve të vendit.

