Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë ditën e sotme një vizitë zyrtare në Kosovë, ky pritet të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kreun e qeverisë Albin Kurti.
Po ashtu, Edi Rama do të jetë i pranishëm në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, si edhe do të mbajë një leksion me të rinjtë e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”.
Në lidhje me këtë vizitë, Policia e Kosovës ka marrë një plan të detajuar masash, duke njoftuar qytetarët për disa bllokime rrugësh, në vijim të agjendës së kryeministrit të Shqipërisë.
“Më datën 16 shkurt 2026, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë zyrtare, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama. Me këtë rast Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.
Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare Aeroporti si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Vizita e Edi Ramës në Kosovë vjen në prag të festimeve të 18 vjetorit të Pavarësisë dhe njëkohësisht protestës që do të bëhet në Prishtinë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK.

