Në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të 3 shtetasve që kanë qenë në kërkim ndërkombëtar.
-U ekstradua nga Danimarka, shtetasi Daniele Matoshi alias Daniele Çela alias Oklid Cela, 28 vjeç, i lindur në Elbasan.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Elbasanit, me vendimin e datës 18.07.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Shtetasi D. M. ka qenë i dënuar nga Gjykata e Kristiansand, Norvegji, me 13 vjet burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, si pjesë e një organizate kriminale, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Mbi bazën e materialeve të dërguara nga autoritetet norvegjeze dhe nga hetimet e kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kanë rezultuar pasuri (prona) të pajustifikuara në emër të tij dhe të familjarëve së tij.
-U ekstradua nga Franca, shtetasi Christopher Rudoviç, 25 vjeç, i lindur në SHBA.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Tiranës, me vendimin e datës 05.11.2024, e ka dënuar me 8 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Në muajin qershor 2024, në aeroportin e Rinasit, gjatë kontrollit me skaner, në valixhet e këtij shtetasi janë gjetur 2 armë të ftohta (thika metalike).
-U ekstradua nga Italia, shtetasi Gazmir Mjelli alias Gazmir Hamzaj, 39 vjeç, i lindur në Berat.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Fierit, me vendimin e datës 13.07.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Mashtrimi”.
Ky shtetas akuzohet se i ka marrë një shumë parash, shtetasit Gj. K., duke e mashtruar se do ta ndihmonte për të shkuar në Itali, në mënyrë të paligjshme.
Vijon bashkëpunimi me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

