Moti i keq që ka përfshirë vendin këtë të martë ka detyruar autoritetet në Portin e Vlorës të pezullojnë lundrimin.
“Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 17–18.02.2026, duke filluar nga ora 10:00 e datës 17.02.2026, në drejtimin VERI–VERIPERËNDIM me forcë deri 6–7 Bft, shpejtësi ere 15–20 m/s dhe lartësi dallgësh nga 1.50 deri 2.50 metra”, njofton Autoriteti Portual.
Kapitaneria e Portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje e mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë gjirit të Vlorës, në det të hapur, duke filluar nga ora 10:00 e datës 17.02.2026 deri në orën 06:00 të datës 18.02.2026.
“Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për marrjen e masave të nevojshme në sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve në mjetet lundruese”, njofton Autoriteti Portual.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
Sipas autoriteteve, përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 18.02.2026.
Ndërkohë, edhe Kapitaneria e Portit Sarandë ka njoftuar anulimin për ditën e sotme të linjës Sarandë-Korfuz dhe anasjelltas. Gjithashtu është ndaluar dhënia e lejeve dhe çdo dalje në det e mjeteve lundruese, përfshirë mjetet turistike, peshkarexhat dhe skafet e vogla, në të gjithë gjirin dhe zonën bregdetare të Sarandës, Ksamilit dhe Borshit.

