Banka e Shqipërisë/ Si po kthehet këshilli mbikëqyrës, në një mekanizëm politik?

albnews
By
9 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Këto ditë në Kuvendin e Shqipërisë pritet të votohen në seancë plenare 6 anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, institucion kushtetues tepër i rëndësishëm për ekonominë dhe financat e Shqipërisë, të cilët zëvendësojnë 6 anëtarët ekzistues që u ka përfunduar mandati. I vetmi riemërim duket se do të jetë kandidatura e vetme për Inspektor të Përgjithshëm dhe që merr mandatin e tretë. Ndërsa për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës ka patur një bashkësi më të madhe kandidatësh aplikantë, me të cilët u mbajtën seancat dëgjimore në Komisionin përkatës të Kuvendit. Në pamje të parë duket një proces i drejtë, transparent që duhet të çojë në organin më të lartë të Bankës së Shqipërisë më të mirët.

Procesin e aplikimit dhe dëgjimit për pozicione të tilla të rëndësishme në fakt e solli si risi transparence rilindja, kur ishte opozitare dhe u kërkua të propozonte kandidaturën e Avokatit të Popullit. Me ardhjen në pushtet e përhapi këtë metodë në të gjitha funksionet e rëndësishme kushtetuese, që teorikisht duhet të premtonte cilësi dhe forcim institucional. Por realiteti është krejt tjetër. Përtej dukjes transparente, këto procese përngjajnë me tendera të paracaktuar, njësoj si moria e tenderave që kanë gllabëruar fondet publike dhe jo vetëm nuk kanë prodhuar cilësi institucionale, por me konseguencë kanë rrënuar pavarësitë institucionale dhe janë shndërruar në leva të qeverisë dhe interesave klienteliste të saj. Falë “proceseve përzgjedhëse me aplikim popullor”, në çdo rast kanë dalë “fitimtarë” dhe janë emëruar pikërisht individët që janë përfolur si të paracaktuar për postin, madje që para se të hapej “konkursi”.

Këtij rregulli nuk i shpëtoi dhe Banka e Shqipërisë, megjithëse ishte institucioni që në raport me të gjitha institucionet e tjera të pavarura, ka ushtruar më shumë pavarësi, gjë që nuk mund ta pranojë Skënderbeu spiropalian. Siç duket kjo Bankë po hyn në “kilometrin e fundit” (shprehja e pëlqyer për rilindasit këto ditë), në kilomentrin e nënshtrimit total dhe të shndërrimit në një institucion plotësisht të ngjashëm me të gjithë të tjerët – institucion shërbyes të interesave klienteliste. Këtë metamorfozë të plotë e garanton pikërisht prurja e gjashtëshes (pesë të përzgjedhur deri tani, por dhe i gjashti u ngjan pesë të parëve) së re në Këshillin Mbikëqyrës.

Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese nuk premton as cilësi profesionale, as pavarësi institucionale. E ka vërtetuar vetë më së miri në seancën dëgjimore kur i referohej me termat “pavarësi dhe autonomi”, kur kushtetuta (neni 161) dhe gjithë kuadri ligjor njeh vetëm konceptin pavarësi për bankën qendrore. Por nuk mund të pritet një lexim profesional i ligjeve, kur personi në fjalë ka vërtetuar se nuk di t´i interpretojë saktë ato; i interpreton në funksion të vetes dhe është gati të fusë në ngërç institutionet dhe të telendisë shtetin shqiptar përpara organizmave ndërkombëtarë me këtë cilësi leximi e interpretimi ligjesh. Se çfarë cilësie profesionale do të shpërfaqë në Bankën e Shqipërisë kjo kandidaturë e di vetëm Kryeministri, që ka marrë vendimin të sistemojë në poste të gjithë ata që po u mbaron mandati në organet e reformës në drejtësi, duke nisur kështu një seri tjetër goditjeje institucionale, pasi nuk lejon qarkullim, por vetëm rrotacion në drejtimin e tyre. Shprehja nga ish-kryetarja se në Gjykatën Kushtetuese ka mësuar të “navigojë” është konfirmimi i qartë se nuk do të jetë prurje e pavarur. “Navigimi” dhe “performanca” e Gjykatës Kushtetuese deri më sot është ajo e mosshprehjes ose e shprehjes së pjesshme për çdo çështje që është kundër qeverisë. Banka qendrore nuk kërkon navigim, kërkon qëndrim, që kjo kandidaturë qartazi nuk e ka.

Mekanizmi “Bode” duket po përdoret sërish. Ca vite të shkuara vendin, që për traditë i lihej opozitës të çonte kandidaturën e vet, Rama ia rrëmbeu me një bypass të Ridvan Bodes, ish-Ministri i Financave për tetë vjet në qeveritë 1 dhe 2 të Berishës. Opozita nuk bëzajti, përveç një qortimi si për fëmijë kopshti të Berishës, që u shpreh se nuk bëri mirë Ridvani që veproi kështu. Mekanizmi u përsërit, këtë herë me ish-këshilltarin e z. Berisha. I pari premtoi para Komisionit që nuk do merrej me politikë. I dyti nuk e dimë ç´ka premtuar. Edhe ky mekanizëm rrëmbimi, pa repektuar rregulla loje të vendosura qoftë edhe për traditë (duke supozuar që nuk ka bashkëpunim nën tavolinë) nuk çon kandidatura pavarësie, por kandidatura qokash, që i mbeten mirënjohës „bamirësit“ të tyre.

E majta shqiptare në mënyrë më të theksuar ka çuar në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë kandidatura me lidhje të fortë në politikë, apo të gatuar fillimisht në Ministri të Financave. Këto kandidatura (si Ermelinda Meksi, Anastas Angjeli, Ridvan Bode etj.) në vite nuk kanë forcuar pavarësinë e bankës qendrore. Përkundrazi, kanë sjellë frymën e nënshtrimit ndaj politikës dhe qeverisë. Të shpresojmë që dikur do të publikohen procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit Mbikëqyrës dhe me një analizë të thjeshtë qëndrimesh kuptohet se sa larg konceptit të të pavarurit janë këto prurje nga dyert e politikës dhe qeverisë, sidomos po të lexohen qëndrimet në momente përplasjesh të bankës me qeverinë apo në raste krizash institucionale. Konfirmim më të pastër të mungesës së pavarësisë e ka dhënë Këshilli kur nuk mbrojti dot dinjitetin e anëtarit të vet, Arben Malaj, që u shkarkua se nuk hynte në hullinë dashamirëse të politikës në fuqi. Pikërisht kandidatura e këshilltarit aktual të Ramës, Ervin Mete, ish-ministër financash, ish-kryetar bordi dhe ish-drejtor i përgjithshëm i AMF, nuk sjell forcim pavarësie. Sepse më e pakta në Shqipëri çdo drejtues në Ministri të Financave ka dhënë kontributin e vet në zvogëlimin e pavarësisë së institucioneve të pavarura në sektorin financiar.

Së fundi Rama sikur tha një fjalë që do të luftojë nepotizmin e do të krijojë një komision etike. Por si gjithmonë këto janë fjalë për propagandë. Sigurisht që me firmën e tij në Këshillin Mbikëqyrës dërgohet mbesa e Alfred Moisiut. Por po i bëjmë edhe një pyetje: a ka lidhje familjare të afërt njëra nga kandidaturat e përzgjedhura nga Komisioni i Ekonomisë për Këshillin Mbikëyrës të Bankës së Shqipërisë me kryetarin e Bordit të AMF-së (një tjetër rregullator i sektorit finaciar)? Kaq familje të zonja qenkan këto familjet rilindase, sidomos në sektorin financiar? Ne e dimë që Rama drejton me familje, krushqi, e ish-krushqi, por këtë pyetje e bëmë meqenëse vetë na deklaroi se tani do i drejtohet etikës dhe do luftojë nepotizmin.

Përtej emrave individualë, shumë shpejt do të shohim se përbërja e re e Këshillit Mbikëqyrës të bankës qendrore do të fokusohet në parcelizimin klientelist të sistemit financiar, do të fillojnë të bëhen operacione për të shpëtuar nga masat banka që sot janë problematike me pronarë ku kanë shërbyer të paktën dy nga kandidaturat që do të votohen dhe „qershia mbi tortë“ për t´i hapur terrenin institucioneve dhe modeleve / mjeteve transaksionale që vijnë me përkrahje qeveritare. Kjo pjesë e ekonomisë ishte dhe kështjella e fundit që nuk ishte nën kontrollin e plotë të ekzekutivit. Pas votimit të gjashtëshes, edhe ky sektor nuk do të dallojë më nga “ujqërit e tenderave e të koncesioneve“.

Marrë nga VNA.al

Share This Article