Administrata e presidentit Donald Trump po shton presionin ndaj aleatëve për të rishikuar praninë ushtarake të NATO jashtë fokusit tradicional euroatlantik, mes të cilave dhe misionin në Kosovë.
Sipas disa diplomatëve të aleancës, Uashingtoni ka sinjalizuar dëshirën për të zvogëluar praninë e KFOR në Kosovë, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO që vepron që prej vitit 1999.
KFOR-i aktualisht përbëhet nga rreth 4,500 trupa dhe konsiderohet një element kyç për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në vend, veçanërisht në veri të Kosovës, ku tensionet etnike kanë qenë të vazhdueshme.
Diplomatë evropianë shprehen të shqetësuar se një reduktim i parakohshëm i pranisë ushtarake mund të krijojë vakum sigurie dhe të inkurajojë elementë destabilizues në rajon.
Ekspertë të çështjeve të Ballkanit paralajmërojnë se çdo tërheqje e nxituar mund të ndikojë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajone të tjera të ndjeshme, si Bosnja e Hercegovina. Sipas tyre, prania e NATO-s ka shërbyer si faktor parandalues ndaj përshkallëzimit të situatave të brishta politike dhe etnike.
Zyrtarë të NATO-s theksojnë se aktualisht nuk ka një vendim përfundimtar për ndryshimin e mandatit apo përfundimin e misionit në Kosovë. Çdo vendim i tillë kërkon miratimin e të 32 vendeve anëtare dhe bazohet në vlerësime periodike të situatës në terren.
Megjithatë, debati i brendshëm brenda aleancës duket se po intensifikohet, ndërsa SHBA-të kërkojnë një rikthim te misionet thelbësore të mbrojtjes kolektive. Për Kosovën, çdo ndryshim në strukturën e KFOR-it pritet të ketë pasoja të drejtpërdrejta në balancën e sigurisë dhe në zhvillimet politike në terren.


