Liga angleze njihet për futbollin e bukur, për tifozerinë e zjarrtë, por edhe për pagat e kripura dhe transfertat e bujshme dhe rrogat e majme. Zbuloni më poshtë listën e 10 yjeve më të paguar në Premier League:
1. Erling Haaland (Manchester City): £525,000 në javë

25-vjeçari norvegjez, ylli i padiskutueshëm i Manchester City, kryeson listën me 525,000 stërlina në javë, një nga pagat më të larta në historinë e ligës angleze. Megjithatë, bomberi duket se e justifikon pagën e majme, duke qenë se ka shënuar 22 gola dhe ka dhënë 6 asiste në 26 ndeshje në Premier League. Ai gjithashtu mban rekordin si lojtari që ka realizuar 100 gola më shpejt se kushdo, në vetëm 111 ndeshje në ligën angleze.
2. Mohamed Salah (Liverpool): £400,000 në javë

“Faraoni” ka fituar me Liverpool gjatë tetë viteve në “Anfield” 8 trofe madhorë, ndërsa pas spekulimeve për largim sezonin e kaluar, ai firmosi në prill një kontratë të re dyvjeçare deri në vitin 2027. Ai fiton 400,000 stërlina në javë, një pagë që reflekton kontributin e tij të padiskutueshëm tek klubi.
3. Casemiro (Manchester United): £350,000 në javë

Fituesi i pesë Champions League me Real Madrid, pas sukseseve me klubin madrilen, u transferua te Manchester United në vitin 2022. 33-vjeçari është lider në mesfushën e “Red Devils” dhe po ndihmon ekipin të ringrihet nën trajnerin Michael Carrick.
4. Virgil van Dijk (Liverpool): £350,000 në javë

Kapiteni i Liverpool dhe i Holandës, ka qenë një influencë e jashtëzakonshme që në momentin që u bë pjesë e “The Reds” në 2018. Ai është një nga arsyet e suksesit të Liverpool në Premier League dhe Champions League. Një lider në repartin e mbrojtjes, kapiteni fiton 350,000 stërlina në javë.
5. Bukayo Saka (Arsenal): £300,000 në javë

Saka ka qenë pjesë e Arsenal që nga viti 2008, si pjesë e akademisë dhe ka debutuar si profesionist në vitin 2018. Këtë vit Arsenal është pretendent për të gjithë trofetë, duke ruajtur kreun në Premier League dhe duke përfunduar e para në tabelë në fazën e parë të Champions League, me 8 fitore nga 8 të mundshme, duke marrë 24 pikë të plota. Një javë më parë ai nënshkroi një kontratë të re pesëvjeçare, duke u bëre kështu lojtari më i paguar tek Arsenal.
6. Bruno Fernandes (Manchester United): £300,000 në javë

Kapiteni i “Djajve”, 31-vjeçari portugez është lideri i padiskutueshëm në Old Trafford. Këtë vit, kapiteni ka orkestruar mesfushën e United dhe ka ndihmuar ekipin duke e renditur atë në vendin e 4, pas Arsenal, City dhe Villa.
7. Omar Marmoush (Manchester City): £295,000 në javë

Egjiptiani erdhi te Manchester City me një kontratë katërvjeçare në janar të vitit të kaluar nga Eintracht Frankfurt, pas përfundimit të sezonit të mëparshëm si golashënuesi i dytë më i mirë i Bundesligës pas Harry Kane. Ai fiton 295,000 stërlina në javë.
8. Alexander Isak (Liverpool): £280,000 në javë

Historia dramatike e sulmuesit suedez për t’u larguar nga Newcastle dhe për t’iu bashkuar Liverpool-it për një shifër rekord prej 125 milionë stërlinash, përfundoi verën e kaluar me nënshkrimin e tij. Isak pësoi një frakturë në këmbë pas golit të parë në fitoren 2-1 ndaj Tottenhamit dhe nuk pritet të luajë më këtë sezon. Por ai fiton 280,000 stërlina në javë, duke u bërë lojtari i tretë më i paguar te Liverpool, pas Salah dhe kapitenit Van Dijk.
9. Kai Havertz (Arsenal): £280,000 në javë

Gjermani u transferua nga Chelsea tek Arsenal gjatë verës së 2023 me një transferim prej 65 milionë stërlinash. Havertz, i cili fitoi Champions League me Chelsea në 2021, ka shënuar 31 gola në 94 ndeshje dhe ka dhënë 15 asistime, por vazhdimisht ka pasur probleme me lëndimet, duke kaluar pjesën e parë të sezonit duke u rikuperuar nga një dëmtim i rëndë i gjurit.
10. Gabriel Jesus (Arsenal): £265-000 në javë

28-vjeçari brazilian u bashkua me The Gunners në vitin 2022, pasi kishte luajtur rreth 5 vite tek Manchester City. Fatkeqësisht, ai ka pësuar dëmtime të njëpasnjëshme që nga ardhja e tij në Emirates, por sidoqoftë, ai mbetet një lojtar i rëndësishëm për Arsenal, i cili këtë vit është pretendenti kryesor për të fituar gjithçka.


