Shtetet e Bashkuara nuk i kanë kërkuar Teheranit të zerojë pasurimin e uraniumit, por bisedimet janë të përqendruara në sigurimin e natyrës paqësore të programit të tij bërthamor, përfshirë aktivitetin e pasurimit.
Kështu deklaroi të premten ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në të njëjtën kohë kur të dhënat e mbikëqyrjes detare zbuluan se aeroplanmbajtësja e dytë amerikane, USS Gerald R. Ford kishte hyrë në Mesdhe dhe po i drejtohet Lindjes së Mesme për t’u bashkuar me simotrën USS Abrahm Lincoln.
Ministri i Jashtëm iranian, duke folur në MSNBC, deklaroi se “pala amerikane nuk ka kërkuar zerim të pasurimit me uranium”. Siç shpjegoi ai, tema e diskutimeve në këtë kohë ka të bëjë me mënyrën se si të sigurohet që programi bërthamor i Iranit, të jetë paqësor.
Në të njëjtën kohë, ai tha se brenda tre ditësh, Teherani do të ketë gati draftin e marrëveshjes bërthamore, të cilin do ta dërgojë në Uashington. Sipas Araghchi-t, Teherani është i gatshëm të vazhdojë me masa për ndërtimin e besimit, të cilat “do të përfshijnë si marrëveshje teknike ashtu edhe angazhime politike, në mënyrë që të sigurojë që programi të ruajë karakterin e tij paqësor“.
Ai iu referua gjithashtu pranisë së kreut të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, në bisedimet e fundit, duke vënë në dukje se ai mori pjesë në diskutime mbi masat e mundshme teknike.
Teherani e ka hedhur poshtë prej kohësh idenë se do të braktisë plotësisht kapacitetin e tij të pasurimit të uraniumit. Në të njëjtën kohë, ndërsa Irani mohon se kërkon të sigurojë armë bërthamore, ai ka pasuruar uranium në nivele që nuk tregojnë përdorim paqësor, ka qasje të kufizuar për inspektorët ndërkombëtarë në objektet e tij bërthamore dhe ka zgjeruar aftësitë e tij të raketave balistike.
Ndërkohë, aeroplanmbajtësja më e madhe në botë USS Gerald R. Ford ka hyrë në Detin Mesdhe dhe tani po kalon nëpër Ngushticën e Gjibraltarit. Faqet e internetit të gjurmimit detar tregojnë se edhe shkatërruesi USS Mahan Arleigh Burke është pjesë e flotës mbështetëse të aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford.
Donald Trump urdhëroi që aeroplanmbajtësja të nisej drejt Lindjes së Mesme javën e kaluar, ndërsa po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ushtarake kundër Iranit duke nisur nga e shtuna.


