Në fjalimin e tij nga sheshi para Kryeministrisë gjatë protestës kombëtare të Partisë Demokratike, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përkujtuar 35-vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991, duke e lidhur atë ngjarje historike me situatën aktuale politike në Shqipëri.
Berisha u shpreh se 35 vite më parë, qytetarët nuk mund të imagjinonin se pas kaq kohësh do të përballeshin sërish me një regjim të ngjashëm.
“20 shkurti është dita në të cilën 35 vite më parë, dhjetëra mijëra qytetarë të mbledhur në qytetin e studentëve, në mbështetje të grevës së studentëve liberatorë, grevës së urisë për të çliruar kombin dhe vendin nga kulti i satanit, nën thirrjen e artistes së mirënjohur, Rajmonda Bulku dhe të protestuesve të shumtë, nisën drejt sheshit Skënderbej, të rrethuar nga të katër anët me autoblinda, mitraloza, snajperë në një betejë, e cila shënon kulmin e guximit të qytetarëve shqiptarë. Në një betejë paqësore që ka shndritur dhe do të shndrisë gjithmonë në historinë e revolucionit demokratik, në të cilin përmbysën shtatoren, përmbysën kultin e satanit, kultin e Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pasluftës. Përmbysën regjimin i cili në 46 vite shtetëzoi, ekzekutoi, burgosi, persekutoi, varfëroi, mjeroi më shumë shqiptarët se çdo pushtues tjetër që ata kishin njohur në tërë historinë e tyre. Nderim përjetë atyre guximtarëve që si luanë u vërsulën mbi shtatoren e diktatorit, e përmbysën atë dhe çliruan Shqipërinë nga diktatura komuniste 46-vjeçare”, u shpreh Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka marrë pushtetet në duart e tij “për të plaçkitur Shqipërinë” më shumë se çdo periudhë tjetër historike, duke rikthyer “farsën zgjedhore” që u përmbys në 1991.
“Miq, 35 vite më parë, të gjithë ata që ishin në shesh, por mbarë qytetarët shqiptarë, kurrë nuk do mendonin se 35 vite më vonë do ndodheshin para një regjimi. Sigurisht, jo të njëjtë në mënyrë identike, por fatkeqësisht shumë të ngjashëm në shumë e shumë aspekte. Nuk mund të besonin se 35 vite më vonë, pushtet e vendit do ishin në duart e një krimineli të pashembullt në histori pas Enver Hoxhës. Pushtetet e vendit do ishin në duart e një tradhtari që do nxijë gjithmonë në historinë kombëtare për aktet e tij të tradhtisë ndaj kombit dhe vendit. Do ishin në duart e një njeriu që do plaçkiste Shqipërinë sa askush tjetër në historinë e tij. 35 vite më parë, ata qindra mijëra burra dhe gra që kaluan bllokimin, kaluan autoblindat, snajperët, mitrolozët, për votën e lirë, për dinjitetin njerëzor, nuk mund të besonin kurrë se 35 vite më vonë përsëri do u rikthehej farsa zgjedhore e atij që përmbysën. E vërteta është se ne sot nderojmë këtë datë me ndjenjën e mirënjohjes më të thellë, por edhe me frymëzimin më të madh, me zotimin tonë para shqiptarëve se Edi Rama do t’i ketë kohërat e numëruara”, deklaroi më tej Berisha.


