Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas takimit me kreun e LDK-së Abdixhiku se Vetëvendosja nuk ka asnjë kandidat të përveçëm për President të vendit.
Po ashtu një emër nuk e kanë as Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Megjithatë, kryeministri theksoi se do të bëhen përpjekjet maksimale për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.
“Në vijim ose të gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të ketë 2/3 e deputetëve që qëndrojnë në sallë e votojnë më së largu deri 4 mars apo subjektet politike të merren vesh për rrugën përpara. Shfaqet e nevojshme të kemi diku 83-84 deputetë apo 85, pasi vetëm një nëse mungon atëherë shkojmë automatikisht në zgjedhje. Përgjithësisht përshtypja është që subjektet politike konsiderojnë se s’duhet që edhe në vitin 2026 gjysmën e parë të na marrin zgjedhjet. Do të përpiqemi maksimalisht të evitojmë zgjedhjet shkaku i moszgjedhjes së presidentit”, tha Kurti.
Një ditë më parë Kurti u takua me kreun e PDK-së Bedri Hamza. Ky i fundit është shprehur se nuk do të jenë pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesin kandidatura që nuk e përfaqësojnë unitetin qytetar.
Ai kërkuar reflektim nga ata që kanë përgjegjësi kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë.
Kushtetuta parashikon që zgjedhja e kreut të shtetit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani.


