Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Holandë, nuk pranojnë të komentojnë deklaratën e kryeministrit Rama, bërë në Bordin e Paqes, pak ditë më parë. Interesimit të MCN TV, Dhomat e Specializuara iu përgjigjën:
“Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre për të siguruar gjyqe të drejta, të paanshme dhe të sigurta. Ne nuk komentojmë deklaratat e bëra nga figura politike ose figura të tjera.”
Javën e kaluar, në takimin e parë të Bordit të Paqes, që u mbajt më 19 shkurt, kryeministri Rama u ndal te procesi që vijon në Hagë ndaj 4 ish-krerëve të UÇK-së.
Rama theksoi se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte arrestuar pak përpara se të nisej në Uashington, ku do të nënshkruhej marrëveshja me Serbinë e propozuar nga presidenti Trump, e për më tepër kjo “u bë nga ai prokuror sikar (Jack Smith) që përndoqi edhe vetë presidentin Trump dhe për këtë u bë i famshëm botërisht.”
Rama tha se Gjykata e Hagës ka dështuar në çdo hap t’u përmbahet standardeve të drejtësisë demokratike, ndërsa iu drejtua presidentit amerikan me kërkesën “le të bëjmë diçka përpara se siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish.”


