I hapet rruga rivlerësimit të pronave: Zbritje 1% për çdo vit përdorimi për apartamentet

albnews
By
16 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

I është hapur rruga nisjes së procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me tatim 5% nga 15% që është aktualisht.

Në Fletoren Zyrtare është publikuar udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), që rregullon procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme për individët. Ky udhëzimi përcakton:

Udhëzimi përcakton se mënyrat e rivlerësimit do të jenë pranë ASHK-së (me çmimet minimale fiskale) ose nga ekspert i licencuar.

Në udhëzim përcaktohet se në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me çmimet minimale fiskale, që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe në përputhje me përcaktimet e udhëzimit të përbashkët nr. 34, datë 29.12.2023, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”.

Baza tatimore llogaritet si diferenca midis vlerës së dalë nga rivlerësimi dhe vlerës së zbritshme të regjistruar më parë. Për ndërtesat, nga çmimi i referencës zbritet 1% për çdo vit përdorimi, deri maksimumi 30%. Për tokat, çmimi minimal fiskal është ai për metër katror sipas hartës së vlerave në fuqi.

Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal.

Ndër të tjera në udhëzim përcaktohet se procedurat e aplikimit për rivlerësimin do të kryhet online përmes portalit e-Albania, duke bashkëngjitur dokumentacionin identifikues dhe, kur përdoret eksperti, aktin e vlerësimit të pasurisë dhe licencën e tij.

Pasi përllogaritet tatimi dhe tarifa e shërbimit, individi paguan faturën për arkëtim dhe ASHK konfirmon pagesën.

Për afatet e aplikimit në udhëzim përcaktohet se aplikimet për rivlerësim të pasurive të cilat paraqiten pranë ASHK-së, brenda datës 31 dhjetor 2026, por nuk janë përfunduar, procedohen edhe pas kësaj date, nëse tatimi i rivlerësimit paguhet brenda datës 31 mars 2027.

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË SË PALUAJTSHME PËR INDIVIDËT

1. Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri më 31 dhjetor 2026, kanë të drejtë që brenda afatit të përcaktuar në ligjin nr. 85/2025, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” (këtu e më poshtë “ligji”), të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Këtu përfshihen dhe rastet, kur për pasurinë e paluajtshme është bërë edhe më parë rivlerësimi, në zbatim të ligjeve të mëparshme të rivlerësimit.

2. Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë pranë drejtorisë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (DVASHK), apo me një ekspert të licencuar nga institucionet përkatëse për vlerësimin e pasurive të paluajtshme. Për të përfituar nga rivlerësimi, nëpërmjet pasqyrimit të tij në regjistrin e pasurive të paluajtshme, individi duhet të paguajë më parë tatimin e rivlerësimit (5% e bazës së tatueshme) dhe tarifën e kryerjes së shërbimit, sipas ligjit dhe këtij udhëzimi.

3. Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive.

II. LLOGARITJA E BAZËS SË TATUESHME PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË PËR INDIVIDËT

1. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me çmimet minimale fiskale, që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe në përputhje me përcaktimet e udhëzimit të përbashkët nr. 34, datë 29.12.2023, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”.

Në këtë rast, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi (sipas çmimeve minimale fiskale në fuqi) dhe vlerës së zbritshme të përcaktuar në pikën 3 të këtij kreu. 1.1 Çmimi minimal fiskal, bazuar në udhëzimin e përbashkët nr. 34/2023, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”, do të konsiderohet çmimi i referencës për pasurinë e paluajtshme ndërtesa dhe sipas hartës së vlerave për pasurinë e paluajtshme tokë.

a)Në rastin e ndërtesave, çmimeve të referencës do t’i zbritet 1% e vlerës për çdo vit të plotë shtesë përdorimi, duke filluar nga data e fitimit të titullit të pronësisë për herë të parë.

b) Zbritja prej 1% do të aplikohet për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme ndërtesa. Kjo zbritje nuk duhet të jetë më e madhe se 30% e çmimit të referencës të përcaktuar në VKM-në në zbatim të neneve 21, pika 2, 22, pika 5, 22/1, 22/3 dhe 22/4 të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar b) Në rastin e tokave çmimi minimal fiskal është çmimi për metër katror sipërfaqeje, të përcaktuar në hartën e vlerave, sipas aktit nënligjor në fuqi në datën e rivlerësimit.

2. Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal.

3. Vlera e zbritshme, si në rastin e pikës 1 dhe në atë të pikës 2 të këtij kreu, është vlera e pasurisë sipas aktit të fundit të regjistruar pranë organit kompetent për regjistrimin e pasurive të paluajtshme (qoftë kontratë blerje, shkëmbim, trashëgimi, dhuratë, heqje dorë, apo rivlerësim i pasurisë së paluajtshme), për të cilin është llogaritur dhe paguar tatimi.

3.1 Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa vlerë, për të përcaktuar vlerën e zbritshme, si vlerë regjistrimi do të konsiderohet vlera sipas parashikimeve të paragrafit 3.2 të udhëzimit të përbashkët nr. 34/2023. Konkretisht, në rastet kur nuk mund të përcaktojmë një vlerë të zbritshme, sipas parashikimeve të pikës 3 të këtij kreu, atëherë vlera e zbritshme do të jetë si në vijim: a) Për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara në DVASHK, të cilat nuk kanë vlerë të regjistruar, ose vlera e regjistruar është e shprehur në monedha të tilla, si franga ari, apo napolona floriri, si dhe për ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, i ndryshuar, për efekt të përcaktimit të tatimit mbi rivlerësimin, si vlerë e zbritshme do të merret kostoja e shfrytëzimit për metër katrorë e përcaktuar nga akti nënligjor në fuqi për Entin Kombëtar të Banesave, në vitin e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme. Për ndërtesat e përfituara në rastet e trashëgimisë, dhuratave apo heqjes dorë, për të cilat nuk ka qenë regjistruar vlerë e pronës, si vlerë e zbritshme do të merret kostoja e shfrytëzimit për metër katrorë, e përcaktuar nga akti nënligjor në fuqi për Entin Kombëtar të Banesave në datën e regjistrimit të aktit.

b) Për tokën, në të gjitha rastet, nëse nuk ka një vlerë në regjistrim, si vlerë e zbritshme do të merret vlera e llogaritur, duke përdorur indeksimin e çmimit të tokës sipas hartës së vlerave, me inflacionin mesatar vjetor të llogaritur për vitin në të cilin është fituar pronësia, sipas aneksit nr. 1 bashkëngjitur udhëzimit të përbashkët nr. 34/2023.

III. PARAQITJA DHE ADMINISTRIMI I KËRKESËS PËR RIVLERËSIM NGA INDIVIDËT

1. Individi ose përfaqësuesi i tij aplikon online për shërbimin e rivlerësimit të pasurisë, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania, me kërkesën sipas modelit të shtojcës nr.1, bashkëlidhur këtij udhëzimi. Në mënyrë që të pajiset me dokumentin zyrtar që pasqyron regjistrimin e shërbimit të rivlerësimit, ai duhet të aplikojë edhe për shërbimin e pajisjes me kopje të kartelës së pasurisë së paluajtshme ose kartelë jopërfundimtare (për pasuritë që ndodhen në zona që nuk i janë nënshtruar regjistrimit fillestar). Aplikimi për shërbimet i drejtohet drejtorisë/ zyrës vendore të ASHK-së, e cila është kompetente për territorin ku gjendet pasuria e paluajtshme.

1.1 Individi në aplikimin online për shërbimin për rivlerësimin e pasurisë duhet të plotësojë në rubrikat përkatëse të platformës e-Albania, të dhënat identifikuese të pasurisë që kërkohet të rivlerësohet. Nëse individi nuk plotëson rubrikat që identifikojnë pasurinë, ai duhet, detyrimisht, të ngarkojë në platformë kopje të skanuar të dokumentit të pronësisë që disponon për pasurinë.

1.2 Punonjësi i drejtorisë vendore të ASHK-së shqyrton aplikimin, duke verifikuar: a) identifikimin e pasurisë, sipas përcaktimeve të pikës

1.1 të këtij kreu; dhe b) legjitimimin e individit aplikues. Punonjësi verifikon nëse individi që ka paraqitur kërkesën për rivlerësim (ose i përfaqësuari) është pronar, apo një nga bashkëpronarët e pasurisë që kërkohet të rivlerësohet. Nëse nuk përmbushen kushtet e mësipërme, individi njoftohet nëpërmjet platformës, për të identifikuar pasurinë ose për mosvijimin e aplikimit (në rast moslegjitimimi).

1.3 Nëse aplikimi i përmbush kushtet e pikës 1.2 të këtij kreu, vijohet me llogaritjen e tatimit të rivlerësimit, sipas rregullave të kreut II të këtij udhëzimi, duke hartuar faturën për arkëtim brenda 2 (dy) ditëve pune, nga momenti i paraqitjes së kërkesës.

1.4 Fatura për arkëtim plotësohet sipas modelit të shtojcës nr. 3 bashkëlidhur, që është pjesë përbërëse e këtij udhëzimi. Fatura gjenerohet në mënyrë elektronike nga drejtoria vendore e ASHKsë dhe së bashku me tarifat e shërbimit, i dërgohet aplikuesit nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania.

1.5 Në rastet kur individi kërkon rivlerësimin e pasurisë sipas aktit të ekspertit, individi nëpërmjet platformës e-Albania, në dokumentacionin shoqërues gjatë kërkesën për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme, bashkëlidh edhe aktin e vlerësimit të pasurisë, të nënshkruar dhe vulosur në mënyrë elektronike nga eksperti, si dhe fotokopje e njësuar e licencës së tij. Me përcjelljen e këtyre dy dokumenteve, si më sipër, drejtoria vendore e ASHK-së vijon procedurat për përllogaritjen e tatimit të rivlerësimit dhe i njofton subjektit vlerën e tatimit të rivlerësimit dhe tarifave të shërbimit.

IV. PAGESA E TATIMIT DHE E TARIFËS SË SHËRBIMIT TË RIVLERËSIMIT NGA INDIVIDËT 1. Pasi individi ose përfaqësuesi ligjor është pajisur me faturën për arkëtim (shtojca nr. 3 bashkëlidhur këtij udhëzimi), ai paguan faturën për arkëtim dhe drejtoria vendore e ASHK-së kryen konfirmimin e shlyerjes së pagesës së tatimit të rivlerësimit dhe të tarifave të shërbimit.

2. Pas verifikimit të shlyerjes së pagesës së tatimit të rivlerësimit dhe të tarifave të shërbimit, aplikimi i individit konsiderohet i plotësuar dhe ASHK-së i lind detyrimi për të pasqyruar rivlerësimin në regjistrin e pasurive të paluajtshme, sipas rregullave të parashikuara në kreun V të këtij udhëzimi.

V. RREGULLAT DHE PROCEDURAT PËR PASQYRIMIN E RIVLERËSIMIT TË PASURISË NË REGJISTRAT E PASURIVE TË PALUAJTSHME

1. Drejtoria vendore e ASHK-së, brenda 5 ditëve nga verifikimi i pagesës së tatimit të rivlerësimit të pasurisë dhe tarifave të shërbimit, duhet të kryejë shënimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për pasqyrimin e rivlerësimit, nëpërmjet punonjësit të ngarkuar me këtë detyrë. Data e rivlerësimit të pasurisë është data e pagimit të tatimit të rivlerësimit.

2. Punonjësi i ASHK-së kryen shënimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, bazuar në dokumentacionin tekniko-ligjor, sipas rasteve të parashikuara më poshtë:

2.1 Kur pasuria e paluajtshme, objekt rivlerësimi, figuron e regjistruar në regjistrat kadastralë dhe ndodhet në një zonë që i është nënshtruar procesit të regjistrimit fillestar, pasqyrimi i rivlerësimit të pasurisë kryhet në seksionin “A” të kartelës së pasurisë. Në këtë seksion do të regjistrohet data e rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme, shuma e rivlerësimit dhe arkivohet dokumentacioni në referencën përkatëse.

2.2 Kur pasuria e paluajtshme, objekt rivlerësimi, ndodhet në një zonë që i është nënshtruar regjistrimit fillestar, por kjo pasuri nuk figuron e regjistruar në regjistrin kadastral, subjekti fillimisht duhet të aplikojë nëpërmjet portalit unik qeveritar e Albania për regjistrimin e kësaj pasurie, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën”, dhe të VKM-në nr. 389/2020, “Për miratimin e listës dhe tarifave të shërbimeve kadastrale”, të ndryshuar, duke depozituar titullin e pronësisë dhe dokumentacionin provues për regjistrim. Vetëm pas regjistrimit të kësaj pasurie në regjistron kadastral, subjektit i lind e drejta të aplikojë për rivlerësimin e kësaj pasurie, sipas përcaktimeve dhe brenda afatit të parashikuar në këtë udhëzim.

2.3 Kur pasuria e paluajtshme, objekt rivlerësimi, gjendet në një zonë kadastrale që nuk i është nënshtruar procesit të regjistrimit fillestar, procedohet me pasqyrimin e vlerës së rivlerësimit në regjistrin përkatës hipotekar apo në kartelat jopërfundimtare, duke pasqyruar datën e rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme, shumën përkatëse të rivlerësimit dhe referencën arkivore përkatëse. Në përfundim të procesit të regjistrimit fillestar, shënimet e mësipërme të rivlerësimit pasqyrohen në kartelat e pasurive të paluajtshme, produkt i këtij procesi, në rastet kur titulli i pronësisë konstatohet se është në përputhje me ligjin. Përjashtimisht, në rastet kur refuzohet regjistrimi i titullit të pronësisë, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën”, dhe të ligjit nr. 20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në RSH”, dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tyre, vlera e rivlerësimit nuk pasqyrohet në kartelën e pasurisë së paluajtshme dhe shuma përkatëse nuk i kthehet subjektit./ Monitor

Share This Article