Nga Adrian Thano
Im bir më tregoi sot komentet poshtë shkrimit tim në Tema(gazeten), një opinion i thjeshtë, skeptik ndaj entuziazmit për fjalimin e Kryeministrit në Uashington.
Sharjet nuk më shqetësojnë. Jam mjaftueshëm i bindur në atë që shkruaj. Ajo që më bëri të ndalem ishte diçka tjetër. Te disa kishte zhgënjim të sinqertë: Si ka mundësi që unë, një kritik i Sali Berishës prej gati 30 vitesh, të “shaj” Edi Ramën?!
“Je bërë me Berishën. Rama kaq kishte në dorë kaq bëri” – ishte fryma e reagimeve për fjalimin e brohoritur.
Por ne kemi brohoritur edhe më parë. Brohoritëm dikur në Beograd për një fjalim që dukej po kaq “i fortë”. Rezultati? Ata që nuk brohorasin shumë lëvizën të tjera fije. Sot në Hagë gjykohen krerët e UÇK-së.
Brohorasim sa herë Kryeministri “i tërbon grekët” me ndonjë deklaratë në media. Por ndërkohë, çështjet strategjike me Greqinë, vazhdojnë rrugën e tyre, zakonisht jo në favorin tonë
Duhet të mësojmë ta ndajmë emocionin nga realiteti. Fjalimet frymëzojnë, por interesat shtetërore janë të shtrira në kohë dhe kërkojnë shumë më tepër se duartrokitje dhe eufori. Mbrojtja dhe zhvillimi i tyre nuk janë çështje talenti filologjik që Kryeministri e ka me shumicë. Janë çështje force institucionale, strategjie afatgjatë, punë shërbimesh inteligjente, vendimmarrje ekipesh, negociata larg bliceve, derisa shkojnë drejt një produkti final. Ky shtrihet përpara e pas Ramës, nuk ka të bëj vetëm me të.
Pikërisht ky “finali” na mungon ne. Prej 30 e kusur vitesh. Shkurt, na mungojnë rezultatet.
Gjithsesi, e kam thënë dhe e përsëris. Nëse ai fjalim apo vetë Bordi Trump prodhon rezultat konkret, nëse ndikon realisht në çështjen e ish-krerëve të UÇK-së apo në ndonjë interes tjetër madhor kombëtar, do jem i pari që do kërkoj ndjesë për skepticizmin tim.
Deri atëherë, ky skepticizëm nuk është armiqësi. Unë e shoh si përgjegjësi, madje si detyrë publike. Nuk ka si të ketë lidhje me ndonjë pozicion partiak.
Në këtë pikë, ku komentuesit e Temës më përmendin Berishën, – dmth u bëra berishist unë, pse i përmenda Ramës, këtë apo atë, mbi të gjitha korrupsionin – dua të ndalem pak më gjatë, duke shpresuar t’i shkohet në fund këtij leximi para se të nisin “sharjet” për mbiemrin.
Në Shqipëri nuk kemi dy pole politike. Kemi një trup të vetëm me dy koka që ushqehen nga i njëjti stomak ekonomik. Sa më shpejt të kuptohet kjo gjerësisht, aq më mirë do jetë për të gjithë. Madje unë besoj se do jetë mirë edhe për vetë ata që e kanë krijuar këtë sistem.
Ai nuk ka rënë nga qielli. Është vizatuar dhe rivizatuar në 1990 dhe në 2008. Tani është ngjyer mirë me bojën e interesave reciproke. Për të mbijetuar, duhet ushqyer publiku me një përrallë që ka dy autorë, por vetëm një qëllim.
Po e them shkurt: Edi Rama nuk e ka kundërshtar Sali Berishën. E ka ortakun më të madh në biznesin e mbajtjes së pushtetit. Jo rastësisht e ka shndërruar në “gogolin” e tij personal. Sa herë që qeverisja fillon e mban erë, sa herë që skandalet financiare nisin e bëhen të padurueshme, ai nxjerr nga sirtari i kujtesës kolektive fytyrën e “të shkuarës”. I thotë atij votuesit që ende beson: “Më shikoni mua, se po nuk isha unë, vjen ky!”.
Kështu, frika nga e kaluara bëhet siguracion jete për të tashmen e korruptuar.
Ata e kanë krijuar vetë këtë rreth vicioz ku nuk ka dalje, sepse të dyja kokat e dinë që nëse bie njëra, tjetra nuk ka më arsye ekzistence.
Këtë e dëshmon shumëçka në Shqipërinë e sotme, madje edhe vetë skenat e fundit që na shiten si ‘revoltë popullore’. Hidhen molotovë natën, mbi mure të ftohta, në zyra ku nuk ka njeri. Kjo dhunë “estetike” nuk synon të rrëzojë pushtetin, por synon të mbajë gjallë iluzionin e një lufte që nuk ekziston.
Sepse në prapaskenë rregullat e lojës mbeten prej çeliku. Ato kanë të bëjnë me pushtetin real, pushtetin ekonomik. Ky pushtet në Shqipëri nuk është as i majtë, as i djathtë. Është thjesht fitim.
Oligarkia që lindi nën njërën kokë, sot është rritur me tjetrën dhe është bërë oksigjen për të dyja. Janë të njëjtët emra të majmur mirë, të njëjtat financime, leje e licensa që kalojnë në po ato duar. Kjo është simbioza e vërtetë.
Viktimë je ti, jam unë. Edhe vetë ata që vërvitin ‘molotovë’ (çudi sa shpejt lirohen). Edhe polici që e urdhërojnë të qëndrojë mes flakëve.
Kjo është pjesa më e dhimbshme. Njerëzit si ti, që e duan këtë vend, janë burgosur brenda kësaj narrative më shumë se 30-vjeçare. Ushqehen çdo ditë me urrejtjen për “anën tjetër”, pa kuptuar që ato llogore janë gërmuar nga të njëjtët njerëz.
Ata nuk dalin dot përtej gardhit, sepse sistemi u ka instaluar një kujtesë selektive. U kujton krimet e Saliut që të pranojnë vjedhjet e Edit, ose u kujton arrogancën e Edit që të pranojnë marrëzinë e Saliut.
Sistemi mirëmbahet përmes zhurmës. Ndaj në ekrane ditë e natë hidhen e priten shkëndija “revolucioni”, akuza për tradhti kombëtare, heqje zvarrë, kusira, tenxhere, e më the të thashë.
Është një lojë e ulët ku populli bën tifo për njërën kokë, ndërkohë që trupi vazhdon i gëlltit të ardhmen e fëmijëve. Kështu do vazhdojmë derisa ta kuptojmë se nuk po zgjedhim mes dy rrugëve, por po rrotullohemi brenda të njëjtit bark.
Sidoqoftë, prova finale që janë një trup i vetëm, do të vijë nëse një i tretë do të arrijë t’i sfidojë seriozisht. Nuk e di nëse do ndodhë apo kur. Por le ta supozojmë. Nëse një forcë e re politike do arrijë të ngrihet vërtetë si frymë, do të shikojmë se si këta “armiq të betuar” do dalin hapur. Do bëhen bashkë.
Nuk është se nuk e kanë bërë. E bëjnë edhe sot duke u rreshtuar në një front të heshtur kundër SPAK-ut. Por këtu po flas për heqjen e maskës.
Do dalin bashkë në një ballkon, në një podium, në një koalicion politik. Hapur. Për të mbrojtur veten nga ndryshimi.
Madje do na thonë pa u skuqur fare se “kështu e kërkon interesi i vendit”.
Do t’u besoni edhe atëherë?


