Në ndalesën e tij të radhës në Përmet, në kuadër të turit “Bashkia që duam”, kryeministri Edi Rama është shprehur se në vetëm 5 vite e gjysmë në qeverisje, socialistët kanë bërë për Përmetin më shumë sesa që është bërë në 25 vite.
“Kemi dhënë prova se jemi të vetmit që mund ta bëjmë këtë vend. Ndaj, në Bashkinë e Përmetit duhet një person që nuk shpenzon taksat”, tha kryeministri.
Ai foli për investimet që po bëhen në agroturizëm në qytetin e Përmetit, teksa u ndal edhe te zhvillimet e fundit politike në vend.
Rama tha se qeveria po akuzohet për të gjitha plagët që ia hapën vet këtij vendi, por koha po afron dhe tashmë po formohet edhe Prokuroria Speciale Antikorrupsion, që demokratët nuk e donin.
Kreu i ekzekutivit të vendit tha se vendi ka një sistem që e kanë zgjedhur të gjithë, me dy palë dhe dy alternativa.
“Kam marrë shumë mesazhe nga njerëzit që më kërkojnë ‘të mos lëshoj pe’, por s’kam asnjë pe për të lëshuar. Kam një detyrë për të kryer nga kontrata me shumicën e shqiptarëve dhe ajo është të qeverisim vendin derisa të mbarojë mandati ynë, derisa të kemi votat në Parlament”, deklaroi Rama.