Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi sot që të bëhet një plan i detajuar masash për përballimin e situatës së koronavirusit si dhe të krijohet një regjistër për personat që vijnë nga zonat e infektuara.
Basha tha se “PD bashkë me një grup ekspertësh të fushës kanë ngritur një grup të posaçëm monitorimi të situatës, si dhe ka hedhur edhe propozimin që të bëhet një regjistër i veçantë për shqiptarët apo personat e tjerë që vijnë nga vende ku koronavirusi është shfaqur më parë”.
“Po ndjek me intensitet zhvillimet në Italinë fqinje si dhe rrezikun që përbën për Shqipërinë, koronavirusi i përhapur në një nga zonat veriore. Kemi pasur disa takime me ekspertë të epidemive, profesorë dhe specialistë të QSUT-së dhe Universitetit Mjekësor si dhe konsulta me drejtues të OBSH-së”, tha Basha.
Basha tha se “është koha të flasin mjekët dhe ekspertët dhe se duhet të hartohet plani i detajuar i masave”.
“Plani duhet të shpërndahet te qytetarët që të informohen. T’u vihet në ndihmë më të rrezikuarve duke ditur se infeksioni nuk shfaqet menjëherë. Duhet të krijohet një regjistër i atyre që vijnë nga zonat e infektuara. Nuk është koha për propagandë. Qeveria ka për detyrë të veprojë në mbështetje të mjekëve. Vendi ynë ka specialistë që mund ta menaxhojnë këtë situatë”, tha Basha.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos neglizhojnë asnjë shenjë sëmundjeje, dhe të bashkëpunojnë me qendrat shëndetësore apo institucionet.
“Kemi ngritur grup të posaçëm pune për monitorim. Mirinformohuni larg panikut, kurse autoritetet të informojnë në mënyrë të detajuar. PD po monitoron dhe detyra jonë është t’i shërbejmë qytetarëve me çdo lloj ndihme që mund të japin ekspertët. Që nga momenti i parë i alarmit të epidemisë do t’u vijmë në ndihmë qytetarëve”, tha Basha./ATSH/