Greqia ka rritur sërish pagën minimale për punonjësit.
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis njoftoi rritjen e pagës minimale mujore në 920 euro, një rritje prej 40 eurosh nga viti i kaluar.
Kjo është rritja e gjashtë me radhë që nga viti 2022, me një përparim të akumuluar prej +41.5% që nga viti 2019. Përveç pagës minimale, rritja përfshin edhe skemat e trevjeçareve, nivelet e pagave në sektorin publik dhe disa përfitime shtesë.
“Fuqia për të dalluar të rëndësishmet nga të parëndësishmet në një botë që ndryshon, është ajo që duhet të udhëheqë vendin tonë”, tha kryeministri grek.
Rritja do të hyjë në fuqi më 1 prill, ndërsa mbetet objektivi për një pagë minimale prej 950 euro deri në vitin 2027.
Nga kjo rritje do të përfitojnë edhe të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.


