19 persona humbën jetën të mërkurën pasi një varkë që transportonte emigrantë u fundos në brigjet turke në Detin Egje. Roja bregdetare turke në një deklaratë njoftoi se përpjekjet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë në zonë.
Roja bregdetare tha se varka u vu re në orën 6 të mëngjesit pranë brigjeve të rajonit të Bodrumit. Anija më vonë filloi të mbushej me ujë për shkak të motit dhe kushteve të pafavorshme të detit në zonë dhe u fundos.
Një helikopter i rojes bregdetare dhe tre anije u dërguan në zonë për operacione kërkim-shpëtimi. Deri tani janë shpëtuar 20 persona. Sipas raportimeve, midis viktimave është edhe një foshnjë.


