Humbja ndaj Turqisë, Kurti: Jemi shumë afër madhështisë, forca Kosovë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Pas humbjes së Kosovës 0-1 ndaj Turqisë në ndeshjen kualifikuese për Botërorin, ka reaguar këtë të mërkurë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Në një postim zyrtar në faqen e tij në Facebook, Kurti shprehet se të gjithë janë të pikëlluar dhe të mërzitur. Sakaq, ai thekson gjithashtu performancën e mirë të Kombëtares së Kosovës, duke thënë se nuk duhen harruar emocionet e jashtëzakonshme që lojtarët e Kosovës kanë dhuruar në të gjitha ndeshjet që ata kanë zhvilluar.

 “Të gjithë jemi ende të pikëlluar dhe të mërzitur nga ndeshja e mbrëmshme në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Tash na vlon meraku kolektiv: do të mund të bëhej kështu sikur t’ia kishim bërë ashtu, ky apo ai, ose që të dy… E di që kemi dëshiruar një lojë ndryshe e rezultat tjetër, se i tërë kombi donte fitore, por edhe djelmoshat tanë e meritonin gjithashtu.

Por le të mos harrojmë që përfaqësuesja jonë na ka dhënë emocione të jashtëzakonshme duke na bërë krenarë aq shumë sa t’u jemi mirënjohës përgjithmonë e përkrah përherë. Fakti që ishim kaq pranë kualifikimit tregon sa afër madhështisë jemi. Dhe shpejt, aty do të jemi.

Andaj edhe sot e çdo ditë tjetër, forca Kosovë! Faleminderit të gjithë lojtarëve, trajnerit dhe stafit për angazhimin e madh në secilën ndeshje”, ka shkruar Kurti.

Share This Article