Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Hidden Line”, gjatë të cilit janë sekuestruar 2 armë zjarri, 1 granatë, municion luftarak, 1 armë e ftohtë dhe një palë pranga.
Në kuadër të operacionit, është arrestuar në flagrancë 44-vjeçari V. Rr., i cili dyshohet se i posedonte armët në studion e tij të tatuazheve me qëllim trafikimin.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcën e Posaçme Operacionale, organizuan dhe finalizuan operacionin bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative.
Gjatë kontrollit në subjektin e shtetasit V. Rr., në lagjen nr. 4 të Durrësit, u sekuestruan:
- 1 pistoletë dhe 1 armë zjarri tip kallashnikov
- 1 granatë dhe municion luftarak i ndryshëm
- 1 armë e ftohtë (dorezë metalike)
- 1 palë pranga si të Policisë
- mjete për pastrimin e armëve dhe një celular
Shtetasi arrestuar dyshohet për veprat penale: “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal vijojnë, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.


