Misioni hapësinor Artemis II po vijon sipas planit, duke shënuar një hap të rëndësishëm në rikthimin e njerëzimit drejt Hënës pas më shumë se gjysmë shekulli. Sipas NASA, ekuipazhi ka realizuar me sukses ndezjen e motorëve që mundëson daljen nga orbita tokësore dhe nisjen drejt destinacionit të tyre.
Atmosfera në bord raportohet të jetë plot entuziazëm, ndërsa astronautët kanë shfrytëzuar momentet e para të udhëtimit për të soditur hapësirën. Ata janë afruar pranë dritareve për të parë pamjet mbresëlënëse dhe për t’i fotografuar ato, duke lënë edhe gjurmë nga afërsia e madhe.
Gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë, astronauti kanadez Jeremy Hansen u shpreh se gjithçka po shkon mirë në bord. Ai theksoi se ekuipazhi ndihet në formë të mirë gjatë këtij udhëtimi të rëndësishëm dhe se përjetimi i forcës së nisjes ishte një moment i veçantë që kërkon përgatitje dhe përkushtim të lartë.
Hansen vuri në dukje edhe simbolikën e këtij misioni, duke nënvizuar se ai dëshmon edhe një herë kapacitetin e njerëzimit për të realizuar ndërmarrje të mëdha.
Ekuipazhi u nis nga Florida më 1 prill dhe përbëhet nga astronautët Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen. Ata pritet të kryejnë një mision rreth 10-ditor që përfshin fluturimin rreth Hënës dhe kthimin në Tokë, duke arritur më thellë në hapësirë se çdo mision i mëparshëm me ekuipazh njerëzor.


