Një shtetas shqiptar, Nikoll Jerevija, 42 vjeç, po përpiqet të ndalojë ekstradimin nga Mbretëria e Bashkuar drejt Italisë, ku duhet të vuajë një dënim prej gjashtë vjetësh e tetë muajsh për plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Ai është arrestuar në Londër në dhjetor dhe i kanë mbetur edhe katër vjet e dhjetë muaj burg për të kryer.
Në gjykatë, Jerevija ka argumentuar se ekstradimi do të dëmtonte jetën e tij familjare, pasi ndodhet në një lidhje të qëndrueshme me partneren e tij greke dhe kanë një fëmijë të vogël.
Sipas tij, planet për martesë dhe për të pasur më shumë fëmijë do të bëheshin të pamundura nëse ai dërgohet në Itali. Partnerja e tij e ka përshkruar si një baba të përkushtuar dhe ka theksuar se ndarja do të ishte e padrejtë për familjen.
Ai ka pretenduar gjithashtu se ekstradimi do të shkelte të drejtat e tij sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), duke rrezikuar hakmarrje dhe trajtim të padrejtë në burg.
Megjithatë, gjyqtari Daniel Sternberg i hodhi poshtë këto pretendime, duke vlerësuar se interesi publik dhe zbatimi i ligjit kanë përparësi. Jerevija pritet të apelojë vendimin përpara se të merret një vendim përfundimtar mbi ekstradimin e tij.


