Garda Revolucionare Islamike (IRGC) ka mohuar përfshirjen në një sulm me dronë ndaj ambasadës amerikane në Riad më 3 mars, duke pretenduar se ai është kryer nga Izraeli.
Deklarata erdhi pasi The Wall Street Journal publikoi një raport ku thuhej se sulmi iranian ishte më shkatërrues sesa kishin pranuar autoritetet saudite.
Sipas gazetës, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite e kishte përshkruar incidentin si një zjarr të kufizuar dhe dëme të vogla, në fakt flakët kishin zgjatur për orë të tëra dhe kishin shkaktuar dëme të mëdha.
IRGC e dënoi raportin e gazetës dhe deklaroi se sulmi “nuk ka absolutisht asnjë lidhje me forcat e armatosura iraniane” dhe, duke marrë parasysh strategjinë izraelite në rajon, ai ishte “sigurisht i kryer nga zionistët”.
Në deklaratë u paralajmëruan vendet myslimane për “intrigat e regjimit zionist në rajon” dhe u theksua se është thelbësore që vendet fqinje të mbeten “vigjilente ndaj qëllimeve përçarëse të lëvizjes amerikano-zioniste për destabilizimin dhe shkatërrimin e rajonit”.


