Situata e Shqipërisë në raport me Iranin, reagon për Review Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi

albnews
By
2 Min Read

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar në një intervistë për Review me moderatoren Greta Topjanën lidhur me paralajmërimin që Ambasada e SHBA-së kishte dërguar disa ditë më parë për të informuar qytetarët mbi masat e sigurisë dhe rreziqet e mundshme nga Irani.

Në deklaratën e tij të plotë, Ministri Nufi thekson:

“Njoftimi i Ambasadës së SHBA-së është një njoftim në kuadër të praktikave standarde, i shpërndarë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera, dhe nuk duhet interpretuar si arsye për panik. Kjo, natyrisht, nuk do të thotë që ne nuk po e trajtojmë me seriozitetin maksimal.
Institucionet tona të sigurisë janë në ndjekje të vazhdueshme të çdo informacioni, ndërsa shërbimet operative dhe inteligjente bashkëpunojnë çdo ditë për identifikimin dhe neutralizimin e çdo rreziku potencial, në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë. Shqipëria mbetet në komunikim të përhershëm me qeverinë e SHBA-së dhe me strukturat partnere për çdo zhvillim që lidhet me sigurinë. Dua të theksoj se nuk ka vend për alarm, por ka vend për vigjilencë, profesionalizëm dhe bashkërendim institucional. Sistemi ynë i sigurisë është i angazhuar plotësisht për garantimin e rendit dhe mbrojtjen e qytetarëve në çdo hapësirë publike. Shqipëria është e sigurt, edhe falë faktit që është pjesë e Aleancës më të madhe të sigurisë në botë, NATO, dhe ne do të vijojmë të bëjmë çdo gjë të nevojshme për të garantuar qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve tanë.”

Share This Article