“Kush thotë negociatat janë bllokuar nuk e di çfarë flet”, Rama: Të thuash që Shqipëria sot ka më shumë korrupsion, është të flasësh përçart

albnews
By
2 Min Read

Kryeministri Edi Rama tha se rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian nuk ka ngecur dhe as është bllokuar.

“Flitet e përflitet lartë e poshtë për arsye të mosarsyes se negociatat janë bllokuar, janë ndaluar, janë penguar… Kjo është totalisht e pavërtetë. Kush i thotë këto, nuk e ka fare idenë se për çfarë flet. Negociatat nuk janë një shëtitje në lendinë, por janë një proces testimi i vazhdueshëm dhe provimesh të vazhdueshme.

Dhe ky provim që është tani, zhvillohet mes nesh dhe vendeve anëtare, është provim kyç”, tha Rama në një aktivitet për prezantimin e vendeve të lira të punës në sektorin publik.

“Por ama nuk ka absolutisht, zero motiv, për të folur për bllokim, për pengim… Jemi totalisht, sipas agjendës së përcaktuar. Prilli është muaji i diskutimeve intensive, pasi në fund të marsit janë mbledhur të gjitha pyetjet e vendeve anëtare, dhe pas diskutimeve do të vijë edhe vendimmarrja”.

Kryeministri shtoi se sot flitet më shumë për korrupsionin, falë qeverisë, por jo se ka më shumë korrupsion. “Të thuash se sot Shqipëria ka më shumë korrupsion se sa ka pasur më parë, do të thotë të flasësh përçart. Natyrisht që sot flitet më shumë për korrupsionin, qoftë për shkaqe objektive, qoftë për shkaqe subjektive”, tha Rama.

“Qoftë për faktin se i është hapur korrupsionit luftë, në radhë të parë politikisht, nga një forcë qeverisëse që ka udhëhequr një reformë që ka çliruar duart e drejtësisë”. 

Share This Article