Milano sfidon Dubain si shtëpi për super të pasurit

albnews
By
4 Min Read

Vetëm pak më shumë se një muaj më parë, Dubai ishte destinacioni i qartë për britanikët e pasur në kërkim të një shtëpie të re.

Por, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe janë vënë nën sumet nga Irani, reputacioni i Dubait si strehë e elitës globale po zbehet. Tani, super të pasurit britanikë po kërkojnë një rrugë kthimi në Europë, dhe Milano po ngjitet në krye të listës.

“Italia ka përfitimet më të mira: taksë fikse dhe cilësi të mirë jetese”, thotë Armand Arton. Nën regjimin italian, rezidentët e huaj mund të paguajnë 300 mijë euro në vit për të gjitha të ardhurat jashtë vendit.

Tani shtrohet pyetja: a mund të bëhet Milano shtëpia e re e ultra të pasurve?

Lehtësia fiskale “Boshatis Londrën”

Lufta në Gjirin Persik ka nxitur tashmë largimin e britanikëve të pasur, edhe pse jo të gjithë duan të kthehen në atdhe. Për shumë europianë, Italia shihet si zgjedhja më strategjike. Ndryshe nga rregullat më të ashpra në Britani, rezidentët e rinj në Itali që nuk kanë paguar taksa atje për të paktën nëntë nga dhjetë vitet e fundit, nuk taksohen për të ardhurat jashtë vendit, kundrejt pagesës fikse prej 300 mijë eurosh në vit.

Marc Acheson thotë se interesi u shtua kur Britania hoqi regjimin non-dom* dhe Portugalia shtrëngoi rregullat. Në Milano, kjo skemë thuhet se quhet “svuota Londra”, ose “boshatis Londrën”. Roberto Bonomi shton se Italia ka lënë pas imazhin e një vendi politikisht të paqëndrueshëm.

La dolce vita, por me një çmim

Rreth 5 mijë persona janë futur deri tani në skemën italiane të taksës fikse.

Fillimisht ishin kryesisht italianë që ktheheshin nga Londra, por pas pandemisë dhe sidomos pas njoftimit të konservatorëve britanikë për heqjen e non-dom, interesi u rrit ndjeshëm. Tani po shfaqet një valë e re interesi nga Gjiri.

Prurja e një komuniteti të ri të pasur po rrit çmimet në Milano. Sipas Knight Frank, çmimet e pronave janë rritur me 38% në pesë vitet e fundit.

Milano ka kaluar Venedikun si qyteti më i shtrenjtë në Itali, me çmim mesatar 5,171 euro për metër katror në nëntor 2025. Giorgolo vlerëson se sot ka 30% deri 40% më shumë blerës ndërkombëtarë se dy vjet më parë.

Kthimi i trurit

Ndër lehtësitë e tjera është edhe “Il rientro dei cervelli”, që u lejon rezidentëve të rinj ose atyre që kthehen të paguajnë taksë vetëm mbi 50% të të ardhurave për pesë vjet. Por mbetet pyetja deri ku mund të shkojë avantazhi italian.

Taksa fikse është rritur nga 100 mijë euro në 2017 në 300 mijë euro në fillim të këtij viti. Vjet, ish-kryeministri francez François Bayrou e akuzoi Italinë për “dumping fiskal”, akuzë që Meloni e hodhi poshtë.

Ndërkohë, jeta në Milano po ndryshon shpejt. Galeritë, klubet private dhe hotelet po shtohen. Via Monte Napoleone kaloi në 2024 Upper Fifth Avenue të Nju Jorkut si rruga tregtare më e shtrenjtë në botë.

Markat po ndjekin valën e re të parasë, ndërsa ndryshime të ngjashme po shfaqen edhe në Romë. Por mbetet për t’u parë nëse Milano do ta rrëzojë Dubain si qendra e elitës globale. / Guardian

Non-dom është një term fiskal për një person që banon në një shtet, por që nuk konsiderohet se e ka aty vendbanimin e përhershëm për qëllime tatimore. Si status, ai mund të sjellë trajtim më të favorshëm për të ardhurat ose pasuritë e mbajtura jashtë atij shteti.

Share This Article