Pompeo përmes fushatës së NATO-s në Kosovë ua kujton kritikëve se sulmet në Iran janë të nevojshme

albnews
By
2 Min Read

Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në një shkrim lidhur me sulmet e SHBA-së në Iran ka përmendur fushatën e NATO-s në Kosovë, ku thotë se kishin goditur rrjetin energjetik në Beograd për të thyer komandën e kontrollit të Millosheviqit.

E njëjta fushatë, sipas tij, ishte përkrahur fuqishëm nga shumë prej kritikëve që sot e kritikojnë zëshëm SHBA-në për sulmet në Iran.

“Gjatë fushatës së Kosovës në fund të viteve 1990, forcat e NATO-s – të mbështetura entuziazmërisht nga shumë prej kritikëve më të zëshëm të sotëm – goditën rrjetin elektrik në Beograd për të thyer komandën dhe kontrollin e Millosheviqit”, shkroi Pompeo.

“Ata që janë të tronditur nga shënjestrimi i infrastrukturës industriale duhet të rifreskojnë historinë e tyre. Ky nuk është ndonjë largim radikal nga normat ndërkombëtare. Është një metodë e provuar – një metodë që ka përfunduar konfliktet dhe ka shpëtuar jetë”, shtoi ai.

Sipas ish-Sekretarit, sulmet e fundit të kufizuara ndaj infrastrukturës iraniane, termocentraleve dhe urave, së bashku me kërcënimin për zgjerim të sulmeve, kanë shkaktuar në mënyrë të parashikueshme reagimin e ashpër të atyre që fajësojnë gjithmonë SHBA-në.

Sipas të drejtës ndërkombëtare, thekson Pompeo, kur një objekt kontribuon në mënyrë efektive në veprimtarinë ushtarake, ai humbet statusin e tij të mbrojtur dhe bëhet një objektiv i ligjshëm ushtarak. 

Share This Article