Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova pëson në rrafshin ekonomik, politik dhe diplomatik nëse nuk e dëgjon SHBA-në.
“Ne kemi mesazhin që Kosova duhet të jetë besnike e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të jetë korrekte, e përgjegjshme dhe e sinqertë, dhe zotimet që i jep t’i realizojë. Në asnjë rrethanë me asnjë me asnjë politikë elektorale të politikës ditore, nuk guxojmë të rrezikojmë këtë partneritet të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këtë mbështetje të jashtëzakonshme sepse adresë tjetër Kosova nuk ka, të sinqertë e mbështetëse, përpos Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, edhe në rrafshin gjeostrategjik, Kosova duhet të ruajë dhe kultivojë edhe më fuqishëm këtë bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të, në rrethana tjera me një kokëfortësi me një veprim populistë, do të mund të cenojë rëndë bashkëpunimin dhe mbështetjen e SHBA-së për Kosovën. Njëjtë, siç e përmendi edhe në mesazhin e tij edhe vet ambasadori Grenell, që Kosova duhet t’i kryejë obligimet e veta. Pra, Kosova duhet t’i dëgjojë këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përndryshe mund të kemi pasoja në rrafshin politik e diplomatik, të njohjeve të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Por, ç’është edhe më e keqja do të mund të ndalen edhe investimet ekonomike që do të ketë më pastaj edhe pasoja të riparueshme për zhvillimin ekonomik të vendit por edhe për hapat e mëtutjeshëm. Nuk ka çështje më e rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj që ndërlidh me politikat elektorale ditore, kur krahasohet cenimi i raporteve Kosovë – SHBA. Kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk do të lejojmë që të ndodhë. Sepse mbi të gjitha është ky relacion që duhet të ruhet dhe kultivohet tash e 30 vjet, është një edukatë dhe kulturë politike dhe qytetare në Kosovë. Jemi popullata më pro-amerikane dhe Qeveria e Kosovës duhet t’i marrë vendimet e drejta, të shpejta, të qarta”, është shprehur presidenti Thaçi.
Thaçi në një intervistë për RTV 21nga Nju Jorku, tha se kushdo që pretendon ta zëvendësojë partneritetin e SHBA-ve me një adresë të përkohshme e ledhatuese, bën një gabim strategjik e historik.
“Mesazhi im si president i Kosovës është shumë i qartë, Kosova duhet të marrë vendime të drejta, të qarta, jo të koklavitura, jo të përsëritshme, por të plota, që sigurojnë dhe garantojnë besimin dhe partneritetin e plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata që pretendojnë me zëvendësuar këtë partneritet, me një adresë të përkohshme ledhatuese, bëjnë gabim strategjik dhe historik të orientimit gjeostrategjik të Kosovës me relacionin e përjetshëm dhe të besimit të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Gjithashtu, presidenti edhe njëherë kujtoi mesazhin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, për çështjen e dialogut Kosovë – Serbi.
“Mesazhi i ambasadorit Grenell ka qenë i saktë dhe i qartë që kërkohen veprime të shpejta dhe në asnjë rrethanë Kosova të perceptohet në Uashington apo kudo në botë si penguese e zhvillimeve në rajon apo të perspektivave të jashtme euroatlantike apo evropiane. Ne si Kosovë deri këtu kemi ecur duke punuar shumë ngushtë me SHBA0të. E kemi fituar bashkërisht Kosovën, e kemi ndërtuar pavarësinë e Kosovës, kemi fituar njohje dhe jemi anëtarësuar në organizata ndërkombëtare me mbështetje të SHBA-së”, ka kujtuar Thaçi.
Presidenti foli edhe për liberalizmiin e vizave, ku tha se Bashkimi Evropian duhet t’i liberalizojë vizat pa kushte.




